Bota

Kryeministri sllovak paralajmëron për përpjekje për grusht shtet nga grupet që veprojnë në Ukrainë dhe Gjeorgji

“Mund të konfirmoj se ekziston një grup ekspertësh në Sllovaki që morën pjesë në ngjarjet në Gjeorgji dhe morën pjesë aktive në procesin Maidan në Ukrainë. Ky grup financohet nga burime të ndryshme”, paralajmëroi Fico

Almir Terzic  | 23.01.2025 - Përdıtësım : 23.01.2025
Kryeministri sllovak paralajmëron për përpjekje për grusht shtet nga grupet që veprojnë në Ukrainë dhe Gjeorgji

Bratislavë

Kryeministri sllovak, Robert Fico, ka pretenduar se një grup ekspertësh që morën pjesë në protestat në Ukrainë në vitin 2014 dhe në Gjeorgji vitin e kaluar po vepron në vendin e tij, transmeton Anadolu.

“Mund të konfirmoj se ekziston një grup ekspertësh në Sllovaki që morën pjesë në ngjarjet në Gjeorgji dhe morën pjesë aktive në procesin Maidan në Ukrainë. Ky grup financohet nga burime të ndryshme”, paralajmëroi Fico.

Ai shprehu bindje se grupi synon të shfrytëzojë protestat paqësore duke pushtuar ndërtesat qeveritare, Parlamentin dhe Pallatin Presidencial. Ai shtoi se qeveria nuk do të marrë asnjë masë në lidhje me të drejtën kushtetuese për tubim dhe organizim protestash.

Fico akuzoi kundërshtarët politik për planifikimin e një grusht shteti dhe mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Pas Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti Peter Pellegrini ka paralajmëruar gjithashtu se situata në Sllovaki është e rëndë dhe se ka shenja të një përshkallëzimi të planifikuar të tensioneve. Megjithatë, ai për momentin nuk pret që në vend të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Të martën, kryeministri sllovak paraqiti raportin e shërbimit të inteligjencës sllovake SIS në një seancë parlamentare me dyer të mbyllura.

Sipas një zëdhënëses së shërbimit të inteligjencës, raporti përmbante “informacione në lidhje me operacionet e ndikimit afatgjatë dhe të organizuar që synojnë destabilizimin e Sllovakisë”.

Grupet qytetare që organizojnë protesta dhe opozita dënuan deklaratat e kryeministrit Fico. Partia më e madhe opozitare, Sllovakia Progresive (PS), është e bindur se deklaratat synojnë të heshtin dhe të mbulojnë ndarjet e koalicionit dhe dështimet e tij në zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.