Bota

Kurti: Hapja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt

"Edhe kjo urë do të duhej të lihej e hapur. Hapja e urës në mënyrë të plotë është quajtur simbol i normalizimit në të kaluarën nga Brukseli", tha kryeministri Kurti

Agim Sulaj  | 18.07.2024 - Përdıtësım : 19.07.2024
Kurti: Hapja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt Foto: Agim Sulaj / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja për qarkullimin edhe të veturave të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt, raporton Anadolu.

Kurti në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës tha se hapja e kësaj ure do t'u ndihmonte qytetarëve pa dallim etnie, por edhe ekonomisë dhe tregtisë.

Ai tha se mbi lumin Ibër janë edhe dy ura tjera të qarkullueshme edhe për vetura dhe është e pakuptueshme që vetëm kjo urë të jetë e hapur vetëm për këmbësorë.

"Nuk është kundër askujt, por për qytetarët dhe për mallrat e kapitalit. I ndihmon njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë e bashkëpunimin. Janë edhe tri ura dhe të ngelet vetëm kjo e mbyllur është e pakuptueshme. Edhe kjo urë do të duhej të lihej e hapur. Hapja e urës në mënyrë të plotë është quajtur simbol i normalizimit në të kaluarën nga Brukseli", ka thënë Kurti, i cili dje takoi ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë për të diskutuar për këtë çështje.

I pyetur për arrestimin e shtetasit kosovar, Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia, kryeministri Kurti tha se për këtë Ministria e Drejtësisë dhe jo vetëm janë në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për këtë.

"Po përpiqemi të marrim informacione më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që të mos ketë nënshtrim ndaj agresivitetit të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletëarreste të tilla për qytetarët tanë", theksoi Kurti.

Sa i përket një ngjarjeje tjetër në Serbi ku autoritetet serbe janë në kërkim të një shtetasi të Kosovës si i dyshuar për vrasjen e një polici serb, Kurti tha se organet e rendit po i grumbullojnë informacionet dhe duhet të pritet deklarimi i tyre zyrtar.

Kurti në konferencë bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve bënë të ditur se skemat për fëmijë janë ridizajnuar duke bërë që nënat me një apo dy fëmijë të marrin si mbështetje nga Qeveria nga 20 euro shtesa për secilin, nga 10 sa ishin deri më tani. Ndërsa, për ata që kanë mbi tre fëmijë, shtesat do të jenë 30 euro për secilin.

Ky ridizajnim do të hyjë në fuqi nga muaji gusht 2024.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.