Kërcënime me bomba ndaj disa vendvotimeve në SHBA, FBI-ja dyshon se vijnë nga Rusia
“Asnjë nga kërcënimet nuk është përcaktuar të jetë i besueshëm deri më tani”, thuhet në një deklaratë të FBI-së
Hamilton
HAMILTON (AA) – FBI-ja njoftoi sot se është “në dijeni” për kërcënimet me bomba të bëra ndaj vendvotimeve në disa shtete, duke vënë në dukje se shumë prej tyre duket se kanë origjinën nga domene ruse të postës elektronike, transmeton Anadolu.
“Asnjë nga kërcënimet nuk është përcaktuar të jetë i besueshëm deri më tani”, thuhet në një deklaratë të FBI-së.
Duke theksuar rëndësinë e “integritetit të zgjedhjeve”, FBI-ja siguroi opinionin publik se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me partnerët shtetërorë dhe vendorë të zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme dhe për të mbrojtur komunitetet ndërsa amerikanët sot shkuan drejt kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e radhës.
Deklarata erdhi menjëherë pasi Sekretari i Shtetit i Georgias, Brad Raffensperger, konfirmoi se kërcënime “jo të besueshme” me bomba me origjinë nga Rusia janë bërë kundër dy qendrave të votimit në qarkun Fulton.
Sipas raportimeve mediatike, kërcënimet kanë çuar në një evakuim të shkurtër të dy vendvotimeve sot herët në mëngjes.