Bota

Këshilli i BE-së miraton rregulloren që ua heq regjimin e vizave serbëve të Kosovës

Nga ky vendim pritet të përfitojnë 18 mijë serbë lokalë të Kosovës, që posedojnë dokumente të tilla

Agim Sulaj  | 22.07.2024 - Përdıtësım : 22.07.2024
Këshilli i BE-së miraton rregulloren që ua heq regjimin e vizave serbëve të Kosovës

Prishtinë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që ua lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd, lëvizjen e lirë pa viza sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, nga ky vendim pritet të përfitojnë 18 mijë serbë lokalë të Kosovës, që posedojnë dokumente të tilla.

Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e 20-të pas botimit në "Gazetën Zyrtare" të BE-së.

Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur BE-ja i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë. Lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si "shkelje e integritetit territorial të Kosovës".

Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Parlamenti Evropian më 23 prill 2024 votoi pro miratimit të lëvizjes së lirë pa viza për mbajtësit e pasaportave serbe në Kosovë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.