Bota

Liban, 15 të vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite derisa banorët përpiqen të kthehen në jug të vendit

Përshkallëzimi erdhi pasi ushtria izraelite qëndroi në territorin libanez edhe pasi sot kaloi afati 60-ditor për tërheqjen e saj nga Libani jugor

Ikrame Imane Kouachi  | 26.01.2025 - Përdıtësım : 26.01.2025
Liban, 15 të vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite derisa banorët përpiqen të kthehen në jug të vendit

Ankara

Të paktën 15 libanezë janë vrarë dhe 83 të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave izraelite derisa banorët po përpiqen të kthehen në zonat e tyre në Libanin jugor, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore e lajmeve NNA tha se tre persona u vranë në qytetin Aitaroun, tre në Hula, katër në Markaba dhe dy në Mays al-Jabal. Nga një vdekje gjithashtu u raportuan në al-Adisa, Blida, Kfarkila dhe Dahira.

Viktimat ndodhën kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj njerëzve që përpiqeshin të kthehen në zonat e tyre në Libanin jugor.

Përshkallëzimi erdhi pasi ushtria izraelite qëndroi në territorin libanez edhe pasi sot kaloi afati 60-ditor për tërheqjen e saj nga Libani jugor.

Ndërkohë, ushtria libaneze u bëri thirrje civilëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të ndjekin udhëzimet e lëshuara nga ushtria për të garantuar sigurinë e tyre.

Gjithashtu edhe presidenti libanez, Joseph Aoun, u bëri thirrje banorëve të Libanit jugor që të “ushtrojnë përmbajtje dhe të kenë besim te forcat e armatosura”.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Libanit janë të panegociueshme dhe unë po e ndjek këtë çështje në nivelet më të larta për të siguruar të drejtat dhe dinjitetin tuaj”, tha Aoun.

Kryeministri i emëruar, Nawaf Salam, nga ana tjetër, shprehu “besim të plotë” në aftësinë e ushtrisë libaneze për të mbrojtur sovranitetin e vendit.

“Unë ndaj besimin e plotë të presidentit në Forcat e Armatosura Libaneze në mbrojtjen e sovranitetit të Libanit dhe garantimin e kthimit të sigurt të njerëzve tanë në jug në fshatrat dhe shtëpitë e tyre”, tha Salam gjatë një bisede telefonike me presidentin Aoun.

Kryeministri në detyrë, Najib Mikati, nga ana e tij, u bëri thirrjeve vendeve sponsorizuese të marrëveshjes së armëpushimit “të detyrojnë armikun (Izraelin) të tërhiqet nga jugu”.

Kryeparlamentari libanez, Nibah Berri, gjithashtu dënoi vrasjen e civilëve nga zjarri i ushtrisë izraelite.

“Gjaku dhe plagët e qytetarëve të pambrojtur libanezë përfaqësojnë një thirrje urgjente për komunitetin ndërkombëtar dhe sponsorët e marrëveshjes së armëpushimit për të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe për ta detyruar Izraelin të tërhiqet nga toka jonë”, tha Berri.

Ushtria izraelite pretendoi se hapi zjarr për “të penguar dhe eliminuar kërcënimet në disa zona” në Libanin jugor.

Sipas një deklarate ushtarake, një numër i të dyshuarve u arrestuan për t’u marrë në pyetje. Nga atje theksuan se forcat izraelite mbeten të vendosura në Libanin jugor dhe po “operojnë në përputhje me mirëkuptimet midis Izraelit dhe Libanit”.

Një armëpushim delikat ka qenë në fuqi midis Izraelit dhe Libanit që nga 27 nëntori, duke i dhënë fund një periudhe bombardimesh të ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut që filloi më 8 tetor të vitit 2023 dhe u përshkallëzua në një konflikt në shkallë të plotë më 23 shtator të vitit 2024.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraelit i kërkohet që në faza të tërheq forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, respektivisht kufirit de facto, ndërsa ushtria libaneze të vendoset në Libanin jugor brenda 60 ditëve.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë e Libanit tregojnë se që kur sulmi i Izraelit kundër Libanit filloi më 8 tetor të vitit 2023, të paktën 4.068 njerëz janë vrarë, përfshirë gra, fëmijë dhe punonjës shëndetësor, ndërsa rreth 16.670 të tjerë janë plagosur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın