Ekip
13 Shtator 2021•Përditësim: 14 Shtator 2021
Libani do të marrë 1,13 miliard dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) më 16 shtator, tha sot Ministria e Financave e këtij vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Njoftimi i ministrisë tha se alokimi do të jetë në të Drejtat Speciale të Tërheqjes të FMN-së (SDR).
Në gusht, Bordi i Guvernatorëve të FMN-së ra dakord të shpërndajë një alokim të përgjithshëm të SDR-së ekuivalente me 650 miliardë dollarë për anëtarët e FMN-së për të adresuar nevojat e tyre për rezerva dhe për të nxitur stabilitetin e ekonomisë globale.
SDR-ja është aset rezervë ndërkombëtar, i krijuar nga FMN në vitin 1969, për të plotësuar rezervat zyrtare të vendeve anëtare.
Shpërndarja e fundit e SDR-së e FMN-së ishte në 2009, ku vendet anëtare morën 250 miliardë dollarë rezerva për të ndihmuar në lehtësimin e krizës financiare globale.
Që nga fundi i vitit 2019, Libani përballet me disa nga sfidat më të rënda të brendshme, përfshirë zhvlerësimin e monedhës e cila humbi pothuajse gjithë vlerën e saj kundrejt dollarit, së bashku me mungesat e karburantit dhe ilaçeve.