Zeynep Tüfekçi Gülay
30 Maj 2021•Përditësim: 31 Maj 2021
Këshilli i Lartë i Shtetit të Libisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të "heq dorë" nga milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit dhe të bashkëpunojë me "organet legjitime" në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli bëri një deklaratë me shkrim pas ceremonisë së paradës ushtarake që milicët e Haftarit mbajtën në qytetin Benghazi.
Në deklaratë nga komuniteti ndërkombëtar kërkohet që të heq plotësisht dorë nga milicët e Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit dhe të bashkëpunojë me organet legjitime dhe zyrtare në vend vetëm duke respektuar sovranitetin kombëtar të Libisë dhe të drejtën për ndryshim të popullit të Libisë.
Duke iu referuar paradës ushtarake që milicët e Haftarit zhvilluan në Benghazi, në deklaratë edhe Këshillit Presidencial iu kërkua që t'u japë fund qasjeve armiqësore dhe shkeljeve të rrezikshme të forcave të Haftarit.
"Sa herë që populli libian i afrohet një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse ose një përvoje të re demokratike, krimineli i luftës Khalifa Haftar paraqet një qëndrim që rrit tensionet duke sfiduar hapur paqen e popullit dhe dëshirën e tij për stabilitet", thuhet në deklaratë.
Ndihmës kryetari i Këshillit Presidencial të Libisë, Abdullah Hussein Al-Lafi në një deklaratë ditë më parë paralajmëroi Haftarin kundër shfaqjeve të njëanshme ushtarake të cilat do të rindezin konfliktin dhe do të pengojnë procesin politik në vend.
Lafi vuri në dukje se shumë herë e kanë theksuar se duhet distancim nga veprimet e njëanshme me cilësi ushtarake përfshirë stërvitjet, veprimet dhe ceremonitë e paradave ushtarake që do të shkaktojnë shfaqjen e arsyeve të reja për konflikt.
Khalifa Haftar kishte njoftuar se më 29 maj do të organizonte "paradë ushtarake" në aeroportin Benina të Benghazit me rastin e 7-vjetorit të formimit të forcave milice "Operacioni i Nderit".
Për pjesëmarrje në këtë paradë Haftari i kishte dërguar letër ftesë edhe kryesuesit të Këshillit Presidencial Mohamed Al-Menfi, kryeministrit Abdul Hamid Dbeibeh dhe kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Aguila Saleh.