Liderët botërorë urojnë Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale
Shumë liderë shtetesh, qeverish dhe organizatash ndërkombëtare uruan presidentin e zgjedhur të SHBA-së
Ankara
Shumë liderë shtetesh, qeverish dhe organizatash ndërkombëtare në mbarë botën i dërguan mesazhe urimi republikanit Donald Trump, i cili u zgjodh presidenti i 47-të i SHBA-së, transmeton Anadolu.
- Liderët e rajonit urojnë Donald Trumpin për fitore në zgjedhjet presidenciale -
Në mesin e liderëve që uruan Trumpin ishte edhe presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, i cili shpërndau në rrjetet sociale një postim në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
“Përgëzoj mikun tim Donald Trump i cili pas një beteje të madhe u rizgjodh president i SHBA-së në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në SHBA. Në këtë periudhë të re që do të fillojë me zgjedhjen e popullit amerikan, shpresoj në përforcimin e marrëdhënieve Türkiye-SHBA, përfundimin e krizave rajonale dhe globale, përfshirë çështjen palestineze dhe luftën Rusi-Ukrainë”, tha Erdoğan duke shtuar:
“Besoj se do të bëhen më shumë përpjekje për një botë më të drejtë. Shpresoj që zgjedhjet të jenë të dobishme për popullin mik dhe aleat të SHBA-së dhe mbarë njerëzimin”.
- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke përgëzuar Trumpin për zgjedhjen e tij si presidenti i 47-të i SHBA-së, deklaroi se udhëheqësia e Trumpit do të jetë sërish çelësi për të mbajtur Aleancën të fortë dhe theksoi se mezi presin të punojnë përsëri me të për të promovuar paqen nëpërmjet NATO-s.
- Bashkimi Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri një deklaratë në rrjetet sociale, duke thënë: “Urime të sinqerta për Trumpin”.
“BE-ja dhe SHBA-ja nuk janë vetëm aleatë, por janë të lidhur me një partneritet të vërtetë që bashkon 800 milionë qytetarë. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike në shërbim të tyre”, shtoi ajo.
Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjithashtu publikoi një mesazh urimi, duke deklaruar se “BE dhe SHBA-ja kanë një aleancë të qëndrueshme dhe një lidhje historike. Si aleatë dhe miq, BE-ja mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e uroi Trumpin duke thënë: “Vlerësoj përkushtimin e presidentit Trump për qasjen e tij ‘paqe përmes forcës’ në marrëdhëniet globale”.
- Azerbajxhani
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, po ashtu e ka uruar presidentin e zgjedhur amerikan. “Jemi të vendosur të zgjerojmë dhe thellojmë partneritetin tonë dypalësh në të gjitha fushat, përfshirë ato politike, ekonomike, tregtare, të sigurisë, të energjisë, të tranzicionit të gjelbër dhe atë digjital”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Trump ka arritur një “fitore të madhe” dhe e përgëzoi atë.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, dhe kryeministri Irakli Kobakhidze gjithashtu e uruan Trumpin për fitoren.
Kryeministri Kobakhidze deklaroi në llogarinë e tij në X se Trump ka arritur një “fitore të sigurt” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
- Liderët evropianë e përgëzuan Trumpin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së
Trump, presidenti i 47-të i SHBA-së, u përgëzua edhe nga krerët e qeverive dhe shteteve të Evropës.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një postim në X, tha: “Në emrin tim dhe të Qeverisë së Italisë, përgëzoj sinqerisht Trumpin si presidentin e ardhshëm të SHBA-së. Italia dhe SHBA-ja janë kombe ‘vëllezër’, të lidhur me një aleancë të palëkundur, vlera të përbashkëta dhe një miqësi historike. Kjo është një lidhje strategjike që jam e sigurt se do ta forcojmë akoma më shumë. Suksese, president”.
- Franca
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri një postim në X për fitoren e Trumpit në zgjedhjet amerikane. “Urime, president Trump. Jemi gati të punojmë së bashku ashtu siç bëmë për katër vitet e fundit. Me respekt dhe vendosmëri. Për më shumë paqe dhe mirëqenie”, ka shkruar Macron.
- Britania
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, e uroi Trumpin duke thënë: “Urime për fitoren historike në zgjedhje. Mezi pres të punojmë së bashku në vitet që vijnë”, tha ai, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja janë aleatët më të afërt dhe se të dy vendet do të punojnë së bashku për të ruajtur vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
- Austria
Kryeministri i Austrisë, Karl Nehammer, uroi Trumpin për suksesin e tij në zgjedhje duke thënë: “SHBA-ja është një aleat strategjik i rëndësishëm për Austrinë. Jemi të lumtur që do të forcojmë dhe zhvillojmë marrëdhëniet tona transatlantike për të përballuar sfidat globale”.
- Hungaria
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e përshkroi fitoren e Trumpit si “rikthimin më të madh në historinë politike të SHBA-së”, duke shtuar: “Urime, president Trump, për fitoren e jashtëzakonshme. Një fitore e nevojshme për botën”.
- Malta
Kryeministri i Maltës, Robert Abela, në një postim në X shkroi: “I dërgoj urimet më të mira presidentit të zgjedhur Trump në emrin tim dhe të Qeverisë së Maltës. Mezi pres të punojmë së bashku për të siguruar paqen, stabilitetin dhe mirëqenien që popujt e botës meritojnë”.
- Irlanda
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, në një postim në X, po ashtu përgëzoi Trumpin duke thënë: “Populli amerikan ka folur. Irlanda do të punojë për të thelluar dhe forcuar lidhjet historike dhe të pathyeshme midis popujve dhe kombeve tona në vitet në vijim”.
- Holanda
Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, në një postim në rrjetet sociale, theksoi se SHBA-ja është aleat i rëndësishëm për Holandën në çdo fushë. “Urime Trumpit për fitoren e tij në zgjedhje. Mezi presim bashkëpunimin e ngushtë për interesat e përbashkëta midis SHBA-së dhe Holandës”, ka shkruar ai.
- Gjermania
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në një deklaratë me shkrim për zgjedhjet presidenciale në SHBA, tha: “Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si presidenti i 47-të i SHBA-së. Marrëdhëniet transatlantike kanë rëndësi të madhe për stabilitetin dhe mirëqenien e vendeve dhe kontinenteve tona”.
Ndërkaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, në një postim në X, përgëzoi Trumpin duke theksuar: “Gjermania dhe SHBA-ja kanë punuar me sukses së bashku për promovimin e mirëqenies dhe lirisë në të dy anët e Atlantikut. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”.
- Suedia
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, në një postim në rrjetet sociale, theksoi se “Mezi pres të vazhdojmë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona miqësore dhe aleate, SHBA-së dhe Suedisë”.
- Pakistani
Kryeministri i Pakistanit, Shahbaz Sharif, në një postim në X, përgëzoi Trumpin dhe shprehu dëshirën për të punuar me administratën e re të SHBA-së për të zhvilluar partneritetin Islamabad-Washington.
- India
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, në një postim në X, shprehu urimet e tij për Trumpin dhe dëshirën për të punuar me të për zhvillimin e marrëdhënieve Indi-SHBA, duke promovuar paqen, stabilitetin dhe mirëqenien globale.
- Australia
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, në një postim në X tha: “Urime, president Trump, për fitoren tuaj në zgjedhje. Australianët dhe amerikanët janë miq të mëdhenj dhe aleatë të vërtetë. Duke punuar së bashku, mund të sigurojmë që partneriteti ynë të mbetet i fortë në të ardhmen”.
- Koreja e Jugut
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në një postim në X shkrii: “Nën udhëheqjen tuaj të fortë, aleanca Kore e Jugut-SHBA dhe e ardhmja e SHBA-së do të jenë edhe më të ndritura. Mezi pres të punoj ngushtë me ju”.
- Norvegjia
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, në një postim në X, uroi Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, duke thënë: “SHBA-ja është partneri dhe aleati më i rëndësishëm i Norvegjisë. Mezi pres të vazhdojmë forcimin e marrëdhënieve tona me administratën e re Trump”.
- Zelanda e Re
Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, në një postim në X, tha se SHBA-ja është “një nga partnerët më të rëndësishëm” të Zelandës së Re dhe shprehu dëshirën për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe me administratën e re Trump.
- Finlanda
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, në një postim në X, përgëzoi Trumpin për fitoren dhe tha: “Mezi pres të punoj ngushtë me ju dhe administratën tuaj për sfidat e rëndësishme të kohës sonë. Finlanda dhe SHBA-ja janë aleatë të ngushtë në shumë fusha, përfshirë sigurinë, teknologjinë dhe biznesin”.
- Armenia
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, në postimin e tij në X lidhur me zgjedhjet në SHBA tha: “Urimet më të sinqerta për fitoren tuaj mbresëlënëse si presidenti i 47-të i SHBA-së. I nderuar president i zgjedhur, mezi pres të punoj me ju për zhvillimin e marrëdhënieve tona strategjike dypalëshe të bazuara në vlerat, prioritetet dhe interesat tona të përbashkëta”.
- Japonia
Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, në një postim në X, i dërgoi Trumpit “urimet më të sinqerta”.
“Mezi pres të punoj ngushtë me ju për të forcuar më tej aleancën SHBA-Japoni dhe për të promovuar një rajon Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, tha lideri japonez.
Ndryshe, kandidati republikan Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të SHBA-së duke u zgjedhur presidenti i 47-të i SHBA-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.