Liderët e BE-së bëjnë thirrje për forcimin e gatishmërisë ndaj krizave dhe elasticitetit
Duke theksuar tensionet gjeopolitike në rritje dhe fatkeqësitë e lidhura me klimën, liderët përmendën rëndësinë e qasjes së koordinuar civile dhe ushtarake ndaj menaxhimit të krizave
Istanbul
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë theksuar nevojën për të rritur gatishmërinë civile dhe ushtarake të bllokut dhe elasticitetin kundër krizave në ndryshimin e rendit global, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga samiti i liderëve të BE-së adresoi pozicionin global të bllokut, elasticitetin, gatishmërinë dhe përgjigjen ndaj krizave, si dhe emigracionin dhe çështjet kyçe.
Duke theksuar tensionet gjeopolitike në rritje dhe fatkeqësitë e lidhura me klimën, liderët përmendën rëndësinë e qasjes së koordinuar civile dhe ushtarake ndaj menaxhimit të krizave.
Ata gjithashtu apeluan për bashkëpunim më të ngushtë me NATO-n aty ku është e përshtatshme dhe kërkuan nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të përshpejtojnë punën për një strategji gatishmërie gjithëpërfshirëse duke u bazuar në prioritetet e BE-së dhe interesat kombëtare të sigurisë.
"Kjo mendësi e re e gatishmërisë është e nevojshme për të ri-forcuar elasticitetin e BE-së, për të mbrojtur vlerat e saj, për të mbrojtur suksesin ekonomik dhe konkurrencën e saj, si dhe për t’u adaptuar me ndryshimet klimatike", theksohet në deklaratë.
- Emigracioni dhe zgjerimi
Lidhur me emigracionin, liderët përshëndetën planin e Komisionit Evropian për të propozuar një legjislacion të ri deri në fillim të vitit 2025 për kthimin e emigrantëve dhe apeluan për përpjekje urgjente për të përforcuar sigurinë kufitare, për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të përshpejtuar kthimin e emigrantëve të paligjshëm.
Duke riafirmuar angazhimin e tyre për integrimin e anëtarëve të ri, procesin e zgjerimit liderët e përshkruan si një "investim gjeostrategjik" në paqe, siguri dhe prosperitet.
Ata theksuan se BE-ja dhe vendet kandidate të BE-së duhet të përmbushin obligimet e tyre në kornizat e një qasje të bazuar në merita, duke shtuar se "edhe BE-ja, edhe vendet aspirantë në BE kanë një përgjegjësi për të bërë më të mirën e mundshme".
- Kërcënimet hibride
Liderët gjithashtu dënuan fuqishëm aktivitetet hibride të Rusisë, përfshirë sulmet kibernetike, sabotimin e infrastrukturës kritike, si dhe përpjekjet për ndërhyrje në proceset demokratike.
Duke përshëndetur miratimin e sanksioneve të para që vënë në shënjestër individë dhe entitete të përfshirë në aktivitetet për de-stabilizim kundër BE-së, liderët e bllokut evropian u zotuan për "forcimin e elasticitetit” dhe për të "ndërmarrë hapa shtesë për të penguar" aktivitete të tilla.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.