Liderët e BE-së zhvillojnë një takim virtual me partnerët evropianë jashtë BE-së
Në takimin ku morën pjesë Islanda, Norvegjia, Türkiye dhe Mbretëria e Bashkuar u diskutua mbi Ukrainën, sigurinë evropiane dhe bashkëpunimin në mbrojtje

Istanbul
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, kanë zhvilluar një takim virtual me liderët nga Islanda, Norvegjia, Türkiye dhe Mbretëria e Bashkuar për të diskutuar mbi Ukrainën, sigurinë evropiane dhe bashkëpunimin në mbrojtje, transmeton Anadolu.
Këshilli i BE-së njoftoi se takimi u ndoq nga kryeministrja islandeze, Kristrun Frostadottir, kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Takimi shënoi përsëritjen e dytë të formatit, që synon të informojë partnerët evropianë jashtë BE-së mbi vendimet kryesore të Këshillit Evropian.
"Këshilli Evropian ka një kuptim të qartë të kohërave të jashtëzakonshme që po kalon Evropa", theksuan Costa dhe von der Leyen.
Ata gjithashtu theksuan se derisa Ukraina ka shprehur gatishmërinë për një armëpushim të plotë me Rusinë, paqja nuk duhet të vijë me çmimin e shpërblimit të agresorit.
“Paqja nuk duhet ta shpërblejë agresorin dhe presioni ndaj Rusisë duhet të rritet”, thuhet në njoftim.
Liderët evropianë përshëndetën një iniciativë të përbashkët nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për të formuar një "koalicion të vullnetit" për të përcaktuar mbështetjen ushtarake dhe garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën.
Costa dhe von der Leyen gjithashtu ndanë detaje të “Gatishmërisë së BE-së 2030”, një udhërrëfyes i krijuar për të siguruar që blloku evropian të ketë një bazë të fortë industriale mbrojtëse dhe aftësi të besueshme parandaluese.
"Vendet e tjera, si Mbretëria e Bashkuara, Kanadaja ose Türkiye, mund të ofrojnë menjëherë deri në 35 për qind të një produkti të mbrojtjes. Për të rritur pjesëmarrjen industriale përtej këtij pragu, një ‘Partneritet i Sigurisë dhe Mbrojtjes’ dhe një marrëveshje e mëvonshme shoqërimi janë të nevojshme", theksuan ata.
Liderët ranë dakord të mbajnë një koordinim të ngushtë për forcimin e Ukrainës dhe rritjen e kornizës së sigurisë evropiane.
Informacione të mëtejshme mbi vendimet e Këshillit Evropian do t'u ofrohen qeverive të Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re dhe Japonisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.