Aydoğan Kalabalık
09 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
KAJRO (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmet Ebu Gajt, duke reaguar për ekzekutimet e mijëra personave në një burg të fshehtë në Siri, tha se kjo situatë është e papranueshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Ebu Gajt, është shprehur: "Praktikat e neveritshme dhe çnjerëzore të shpjeguara në raport janë të papranueshme. Nëse ato që thuhen në raport janë të vërteta, qeveria e Sirisë duhet të dënohet rëndë. Këto quhen krim lufte."
Duke i bërë thirrje Sirisë që të respektojë ligjin e së drejtës, Ebu Gajt, në vijim ka thënë se këto praktika çnjerëzore do ta bëjnë gjendjen në Siri më dramatike, si dhe do të çojnë në hapjen më tepër të hendekut mes popullatës dhe qeverisë.
Amnesty International, në një raport të publikuar dy ditë më parë vuri në dukje se në një burg ushtarak në Siri, regjimi kishte ekzekutuar 5-13 mijë njerëz pa gjyq. Në raport theksohej se shumica e të ekzekutuarve ishin civilë.