Bota

Londër, mbështetësit e PKK-së përleshen me policinë pas arrestimeve në një hetim terrorizmi

Për të parandaluar trazirat, policia vendosi një numër të madh oficerësh, duke përfshirë një helikopter

Ekip  | 28.11.2024 - Përdıtësım : 28.11.2024
Londër, mbështetësit e PKK-së përleshen me policinë pas arrestimeve në një hetim terrorizmi Foto: Muhammed Yaylalı\AA

Londër

Mbështetësit e grupit terrorist PKK janë përleshur me policinë në lagjen Harringay të Londrës pasi Policia Metropolitane arrestoi gjashtë persona në lidhje me aktivitetin e dyshuar terrorist të lidhur me grupin, transmeton Anadolu.

PKK-ja, përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve në Türkiye, është cilësuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian (BE).

Një grup mbështetësish të PKK-së u mblodhën në lagjen Harringay, duke brohoritur parulla kundër Türkiyes dhe duke bërë thirrje për "Liri për Ocalan-it", duke iu referuar Abdullah Ocalan-it, kreut të dënuar të PKK-së, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në Türkiye.

Tensionet u përshkallëzuan kur protestuesit i rezistuan përpjekjeve të policisë për të ngritur barrikada, duke çuar në një përleshje.

Në përgjigje të tensioneve në rritje, sekretari i shtetit thirri kompetencat emergjente sipas nenit 239 të Urdhrit të Navigimit Ajror 2016 për të kufizuar fluturimet në zonë. Masa u konsiderua e nevojshme "për shkak të një emergjence që kishte lindur në atë zonë" për të garantuar sigurinë publike dhe për të zbutur rreziqet gjatë trazirave.

Për të parandaluar trazirat, policia vendosi një numër të madh oficerësh, duke përfshirë një helikopter.

Më herët, gjashtë persona u arrestuan në një operacion të koordinuar nga Komanda Kundër Terrorizmit e Londrës.

Arrestimet u kryen në vende të ndryshme në të gjithë Londrën sipas nenit 41 (1) të Aktit të Terrorizmit të vitit 2000. Të gjithë të dyshuarit janë aktualisht në paraburgim në një stacion policor në Londër.

Komandantja në detyrë, Helen Flanagan, theksoi se arrestimet ishin pjesë e një "hetimi dhe operacioni të rëndësishëm mbi aktivitetin që besojmë se është i lidhur me grupin terrorist PKK".

"Nuk besohet të ketë ndonjë kërcënim të menjëhershëm për publikun lidhur me çështjet nën hetim”, tha ajo.

Flanagan shtoi se shpreson se këto arrestime të tregojnë se ne nuk do të tolerohet asnjë lloj aktiviteti terrorist dhe do të veprohet “aty ku besojmë se po u shkaktohet dëm komuniteteve këtu në Mbretërinë e Bashkuar ose gjetkë”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.