Ekip
07 Qershor 2020•Përditësim: 07 Qershor 2020
Kryeshefi i policisë në Britani deklaroi se 14 efektivë të policisë u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit në Londër të shtunën pas një demonstrate kryesisht paqësore nën moton "Jeta e njerëzve me ngjyrë ka vlerë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Cressida Dick, komesarja e Policisë Metropolitane, tha se sulmet ndaj efektivëve ishin "tronditëse dhe plotësisht të papranueshme". Ajo tha se janë bërë një numër arrestimesh dhe "drejtësia do të zbatohet".
Përleshjet shpërthyen në mbrëmjen e hershme pranë zyrave të Downing Street të kryeministrit britanik Boris Johnson.
Pamjet filmuara në internet tregojnë një efektive policie duke u përplasur me një semafor kur kali i saj shifet duke u tërbuar. Policia Metropolitane tha se efektivja është dërguar në spital, por dëmtimet e saj nuk janë serioze për jetën.
Demonstrata më të mëdha janë planifikuar të dielën në gjithë Britaninë, duke përfshirë edhe ato përpara Ambasadës së SHBA-së, në jug të lumit Temza.
Dick u bëri thirrje protestuesve që të gjejnë "një mënyrë tjetër" për të ngritur zërin e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit.
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qytete jasht Shteteve të Bashkuara për të shprehur zemërimin e tyre për vdekjen e George Floyd, nën moton "Jeta e njerëzve me ngjyrë ka vlerë", kundër brutalitetit të policisë.
Në Berlin, ku policia tha se 15.000 njerëz u mblodhën të shtunën në Sheshin Alexader, protestuesit brohoritën emrin e Floyd dhe mbajtën pankarta me parulla të tilla si "Ndaloni brutalitetin e policisë" dhe "Nuk mund të marr frymë".
Rreth 20.000 të tjerë u mblodhën në Mynih, ndërsa mijëra të tjerë morën pjesë në protesta në Frankfurt dhe Këln. Në Paris, disa mijëra demonstrues injoruan ndalesën për protesta, të lëshuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe u mblodhën para Ambasadës së SHBA-së.
Në Londër, dhjetëra mijëra organizuan një tubim në sheshin para Parlamentit, duke brohoritur emrin e Floyd dhe atyre që vdiqën në duart e policisë ose mospërfilljes në Britani. Shumë prej protestuesve u ulën në njërin gju dhe ngritën grushtat para ndërtesës së ambasadës amerikane, ku u dëgjuan zëra si "Heshtja është dhunë!" dhe "Ngjyra nuk është krim!"