Lufta tregtare SHBA-Kinë ndikon në robotët e Elon Musk
Fitimet neto të kompanisë Tesla në tremujorin e parë ranë me 71 për qind, me Musk që thotë se luftërat tregtare kanë penguar aftësinë e kompanisë për të prodhuar robotët humanoid Optimus

Istanbul
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka bërë të ditur se kufizimet e Kinës ndaj SHBA-së për elementët e rrallë të tokës (REE), si pjesë e luftës tregtare midis dy vendeve, po ndikojnë në prodhimin e robotëve të kompanisë së tij, transmeton Anadolu.
Sipas CNBC-së, fitimet neto të kompanisë Tesla në tremujorin e parë ranë me 71 për qind, me Musk që thotë se luftërat tregtare kanë penguar aftësinë e kompanisë për të prodhuar robotët humanoid Optimus.
Të mërkurën, Musk tha se Tesla po punon me Pekinin për të siguruar qasje në burimet kryesore, duke theksuar se robotët Optimus janë kritikë për të ardhmen e kompanisë dhe mohoi akuzat se kërkesat e tij lidhen me prodhimin ushtarak.
Musk tha se robotët autonomë do të përdoren në objektet e prodhimit të kompanisë së tij.
Prototipi i robotit Optimus u zbulua në vitin 2022 dhe në vitin 2024 Musk njoftoi se kompania do të fillojë të përdor robotë humanoid vitin e ardhshëm.
Rezultatet financiare të kompanisë Tesla treguan një rënie prej 71 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, duke përmendur pasiguritë në tregjet e automobilave dhe të energjisë, si dhe politikat tregtare që ndryshojnë me shpejtësi.
Tesla i është nënshtruar protestave dhe bojkoteve për shkak të veprimeve të Muskut.
Njeriu më i pasur në botë mbështeti fushatën zgjedhore të presidentit Donald Trump dhe u emërua për të udhëhequr Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë të SHBA-së (DOGE). Strategjia e Muskut për të ulur kostot përfshinte pushimin nga puna të mijëra punonjësve federalë.
Protestat u mbajtën jashtë koncesionarëve të kompanisë Tesla në të gjithë vendin, me policinë që kreu arrestime. Trump tregoi mbështetje për këshilltarin e tij të lartë duke blerë automjete elektrike Tesla.
Megjithatë, që nga fitorja e Trumpit në nëntor të vitit 2024, popullariteti i kompanisë Tesla është zbehur. Aksionet e kompanisë humbën pjesën më të madhe të fitimeve që solli fitorja e Trumpit, duke rënë me 41 për qind që nga fillimi i vitit.
Musk tha se do ta zvogëlojë kohën që kalon në DOGE dhe do t'i kushtojë një ose dy ditë në javë çështjeve qeveritare, për aq kohë derisa presidenti Trump dëshiron që ai ta bëjë këtë. Ai theksoi se dëshiron të përqendrohet në sfidat me të cilat po përballet Tesla tani.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.