Macron mbërrin në Bejrut për vizitën e parë që nga zgjedhja e Joseph Aounit si president
Macron u përshëndet nga kryeministri në detyrë Najib Mikati dhe një sërë zyrtarësh
Bejrut
Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti sot në Bejrut, duke realizuar vizitën e tij të parë në Liban që kur Joseph Aoun u zgjodh president pas një vakumi presidencial dyvjeçar, raporton Anadolu.
Avioni i Macronit zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar "Rafic Hariri" rreth orës 7:00 të mëngjesit me kohën lokale, ndërsa ai u përshëndet nga kryeministri në detyrë Najib Mikati dhe një sërë zyrtarësh, sipas mediave libaneze.
Vizita njëditore synon ofrimin e mbështetjes për presidentin Aoun dhe kryeministrin e nominuar Nawaf Salam. Sipas presidencës franceze, vizita e Macronit synon "të forcojë sovranitetin e Libanit, të sigurojë prosperitetin e tij dhe të ruajë unitetin e tij".
Diskutimet e mëtejshme midis Macronit dhe udhëheqësve libanezë pritet të fokusohen në reformat politike, përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike dhe forcimin e mbështetjes ndërkombëtare për Libanin.
Aoun u zgjodh president më 9 janar pas më shumë se dy vitesh të presidencës vakante për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Zgjedhja e tij pason një fushatë shkatërruese ushtarake izraelite vjeshtën e kaluar, e cila e bëri Libanin të përballet me përkeqësimin e ndarjeve politike dhe vështirësive ekonomike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.