Bota

Macron në Bejrut, kërkon tërheqje "të plotë" të forcave izraelite nga Libani

Presidenti francez gjithashtu bëri thirrje për "përshpejtimin" e zbatimit të armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut

Necva Taştan Sevinç  | 17.01.2025 - Përdıtësım : 18.01.2025
Macron në Bejrut, kërkon tërheqje "të plotë" të forcave izraelite nga Libani Foto: Houssam Shbaro / AA

Istanbul

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje sot për tërheqje "të plotë" të forcave izraelite nga territori libanez, duke theksuar nevojën për përpjekje të përshpejtuara për të siguruar sovranitetin e Libanit, raporton Anadolu.

"Forcat e Armatosura të Libanit duhet të forcohen si një shtyllë sovraniteti", tha Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij libanez Joseph Aoun në kryeqytetin libanez Bejrut.

Kjo është vizita e parë e Macronit në Liban që kur Aoun u zgjodh president pas më shumë se dy vitesh bllokimi politik.

Sipas presidencës franceze, vizita njëditore synon mbështetjen për qeverinë libaneze në forcimin e sovranitetit dhe stabilitetit në vazhdën e sfidave të vazhdueshme.

"Izraeli duhet të tërhiqet nga Libani jugor dhe shteti libanez duhet të ketë kontrollin e armëve", tha Macron.

"Është thelbësore të sigurohet sovraniteti i Libanit dhe siguria e popullit të tij", theksoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e përparimit diplomatik që deri më tani ka çuar në një tërheqje të pjesshme izraelite.

Ai gjithashtu bëri thirrje për "përshpejtimin" e zbatimit të armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Macron kërkoi veprim më të shpejtë për të konsoliduar paqen dhe sigurinë, duke thënë: "Është e nevojshme të përshpejtohet rekrutimi dhe konsolidimi i Forcave të Armatosura të Libanit, duke përfshirë mbështetjen ndërkombëtare në drejtim të pajisjeve, trajnimit dhe ndihmës financiare".

Ai theksoi rolin e aktorëve kryesorë rajonalë si Arabia Saudite dhe Katari në mbështetjen e këtyre përpjekjeve.

Macron riafirmoi angazhimin e gjatë të Francës ndaj Libanit duke iu drejtuar kombit përkrah presidentit libanez Joseph Auon.

"Pranvera u shfaq dhe ju jeni kjo shpresë", tha ai, duke përgëzuar udhëheqjen e Libanit për përfundimin e një vakumi të zgjatur politik dhe për punën drejt ndërtimit të shtetit.

Ai kujtoi gjithashtu qëndrueshmërinë e Libanit gjatë krizave, duke përfshirë shpërthimin në portin e Bejrutit dhe konfliktet e fundit.

Presidenti francez njoftoi planet për një konferencë ndërkombëtare në Paris për të mobilizuar burimet për rindërtimin e Libanit, veçanërisht në zonat e shkatërruara nga lufta.

Ai tha se Franca dhe Bashkimi Evropian do të dyfishojnë përpjekjet e tyre, me BE-në që do të ndajë 130 milionë euro për iniciativat e sigurisë dhe rindërtimit.

Macron theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar mekanizmat e paqes, duke i përshkruar marrëveshjet e fundit si "sukses i çmuar diplomatik që ka shpëtuar jetë".

Në përfundim të fjalëve të tij, Macron u zotua për mbështetjen e palëkundur të Francës, duke thënë: "Ne kemi qëndruar pranë jush gjatë kohëve më të errëta dhe do të qëndrojmë në anën tuaj në rindërtimin e një Libani sovran, të begatë dhe të bashkuar".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın