Ekip
02 Dhjetor 2018•Përditësim: 03 Dhjetor 2018
PARIS (AA) - Presidenti i Francës, Emmanuel Macron sot vizitoi Portën Triumfale në Paris, e cila u dëmtua gjatë protestave të djeshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas kthimit nga Samiti i Liderëve të G20 në Argjentinë, Macron sot vizitoi Portën Triumfale që ishte dëmtuar dhe në të cilën u shkruan grafite gjatë trazirave të djeshme.
Ai sot u takua me kryeministrin dhe ministrat e Francës, ndërsa gjatë takimit u diskutua për dhunën të cilën Parisi nuk e ka parë gjatë disa viteve të fundit.
Policia franceze sot njoftoi se në mesin e 133 të lënduarve, të paktën 23 janë policë.
Deklarata thekson se nga 412 të ndaluarit, 378 prej tyre u mbajtën në paraburgim.
Parisi për dy javë ka qënë skenë e protestave masive për shkak të rritjes së taksave dhe çmimeve në Francë.
Gjatë protestës së djeshme, demonstruesit hodhën gurë drejt policisë dhe objekteve në qendër të qytetit.
Këto ishin një nga trazirat më të mëdha në kryeqytetin e Francës gjatë disa viteve të fundit.
Presidenti francez Macron mbrëmë dënoi trazirat dhe tha se përgjegjësit do të ndiqen penalisht.