Bota

Maldivet kërkojnë t'i bashkohen çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për kryerje gjenocidi

“Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme në Gaza. Sundimi i ligjit duhet të ruhet dhe Izraeli duhet të pushojë aktet e tij gjenocidale kundër popullit palestinez”, tha presidenti Mohamed Muizzu

Amir Latif Arain  | 01.10.2024 - Përdıtësım : 01.10.2024
Maldivet kërkojnë t'i bashkohen çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për kryerje gjenocidi

Karaçi

Maldivet thanë sot se kanë dorëzuar zyrtarisht një deklaratë ndërhyrjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për t’iu bashkuar rastit të gjenocidit kundër Izraelit për kryerjen e masakrave në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Maldivet, në përputhje me nenin 63 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, parashtruan deklaratën e ndërhyrjes në Aplikimin e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës (Afrika e Jugut kundër Izraelit)”, tha presidenti i Maldiveve Mohamed Muizzu në një postim në X.

“Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme në Gaza. Sundimi i ligjit duhet të ruhet dhe Izraeli duhet të pushojë aktet e tij gjenocidale kundër popullit palestinez”, shtoi ai.

Maldivet, vazhdoi ai, gjithmonë do të jenë në anën e “njerëzimit, paqes dhe drejtësisë, dhe duke e bërë këtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin palestinez”.

Muizzu tha më tej se Palestina “duhet” të njihet dhe të krijohet bazuar në kufijtë e para vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Afrika e Jugut e paraqiti rastin në gjykatën me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i kaluar, për mosrespektim të angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin në maj të ndalojë ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh nxorri urdhra paraprakë për të frenuar numrin e të vdekurve dhe për të lehtësuar vuajtjet humanitare në enklavën e bllokuar, ku numri i viktimave ka kaluar mbi 41.600.

Disa vende i janë bashkuar çështjes së gjenocidit kundër Izraelit, duke përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Palestinën, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë. Gjykata filloi seancat publike në janar.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.