Malet Barberton Makhonjwa, një nga vendet e trashëgimisë botërore të Afrikës
Me gjithsej 12 zona të trashëgimisë, Afrika e Jugut së bashku me Etiopinë kryeson listën e vendeve që kanë më shumë zona të trashëgimisë në kontinent

Cape Town
Malet Barberton Makhonjwa në verilindje të Republikës së Afrikës së Jugut janë ndër bukuritë natyrore të kontinentit që ndodhen në listën e trashëgimisë së Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të OKB-së (UNESCO), raporton Anadolu.
Kontinenti afrikan që nga viti 2025 është shtëpia e 108 prej 1.223 zonave të trashëgimisë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Nga këto zona të trashëgimisë, 42 janë natyrore, 61 janë kulturore dhe 5 janë zona të trashëgimisë mikse.
Me gjithsej 12 zona të trashëgimisë, Afrika e Jugut së bashku me Etiopinë kryeson listën e vendeve që kanë më shumë zona të trashëgimisë në kontinent.
Ndërsa Malet Barberton Makhonjwa, me veçoritë e tyre gjeologjike janë një nga vendet kryesore të trashëgimisë natyrore të Afrikës së Jugut dhe kontinentit.
- Një nga formësimet gjeologjike më të vjetra në botë
Këto male të cilat shtrihen për 120 kilometra përgjatë kufirit midis Afrikës së Jugut dhe Eswatinit dhe ndodhen në brezin Barbeton Greenstone, konsiderohen si një nga formësimet më të vjetra gjeologjike në botë.
Sipas UNESCO-s, kërkimet shkencore kanë datuar disa nga shkëmbinjtë vullkanikë në këtë mal më shumë se 3 miliardë vjet më parë. Këta shkëmbinj konsiderohen si ndër shembujt më të vjetër dhe më të ruajtur të llojit të tyre.
Barberton Makhonjwa shquhet gjithashtu si vendi ku janë zbuluar fosilet më të vjetra të mikroorganizmave të njohur. Ky vend në të njëjtën kohë mbart edhe cilësinë si vendi ku goditi tokën "S2", një nga meteoritët më të mëdhenj që ka rënë në Tokë.
Sipas një raporti kërkimor të vitit 2024 nga Universiteti i Harvardit ky meteorit gjigant i cili supozohet se ka goditur Tokën në periudhën Arkeane, vlerësohet të ketë qenë 40 deri në 60 kilometra i gjerë.
S2 i cili vlerësohet të ketë krijuar një krater me diametër rreth 500 kilometra, mendohet të jetë 50 deri në 200 herë më i madh se asteroidi "Chicxulub" që goditi Tokën rreth 66 milionë vjet më parë dhe zhduku dinozaurët.
Me të gjitha këto karakteristika, Barberton Makhonjwa përshkruhet si një trashëgimi natyrore unike nga periudha e lashtë e planetit.
- Një nga simbolet e periudhës së "Ethet e arit"
Ky rajon i cili ka depozita të pasura ari për shkak të strukturës së tij gjeologjike, është ndër vendet simbolike të periudhës së "Ethet e arit" në Afrikën e Jugut në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.
Qyteza Barberton, e themeluar nga minatorët e arit edhe pse është larg ditëve të lavdisë së tij të mëparshme, ende është një nga vendbanimet më të rëndësishme në zonë sot.
Muzeu Barberton që ndodhet këtu tërheq entuziastët e gjeologjisë me koleksionin e tij të pasur të mostrave më të vjetra të shkëmbinjve në botë. Ndërsa koleksioni i tij i artikujve që u përkasin njerëzve vendas dhe minatorëve të arit hedh dritë mbi një periudhë në historinë e vendit.
Hyrja në muze është falas dhe mund të vizitohet çdo ditë të javës nga ora 09:00 deri në orën 16:00.
- Transporti dhe akomodimi
Barberton Makhonjwa ndodhet në një distancë prej 4 orësh me rrugë tokësore nga Johanesburgu, qyteti më i madh i Afrikës së Jugut.
Ndodhet gjithashtu pranë Parkut Kombëtar Kruger, një nga vendet më turistike në vend.
Si në qytezën Barberton ashtu edhe në qytetin e Nelspruit i cili është gjysmë ore larg nga këtu, ka objekte të ndryshme akomodimi.