Manastirliu: Kemi një rol kryesor dhe përgjegjësi për krijimin e ambienteve të sigurta në shkolla
Interpelanca me ministren Manastirliu ishte kërkuar nga grupi parlamentar i partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD), pas ngjarjes ku mbeti i vrarë një nxënës 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, pranë ambienteve të një shkolle
Albania
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku është mbajtur interpelanca me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mbi sigurinë dhe ndihmën psiko-sociale në shkolla, raporton Anadolu.
Interpelanca ishte kërkuar nga grupi parlamentar i partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD), pas ngjarjes ku mbeti i vrarë një nxënës 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, pranë ambienteve të një shkolle në Tiranë.
Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu tha se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka një rol kryesor dhe përgjegjësi për krijimin e ambienteve të sigurta në shkolla.
"Dua të siguroj qytetarët se për ngjarjen në fjalë (vrasja e 14-vjeçarit) janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë nga organet kompetente. Ngjarjet tragjike që përfshijnë dhunën mes të miturve janë të dhimbshme dhe kërkojnë zgjidhje serioze dhe të koordinuara", tha ajo.
Manastirliu shtoi se ministria që ajo drejton mbetet tërësisht e angazhuar për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, rishikimin e protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve.
Ajo u shpreh se ka patur një vëmendje maksimale mes institucioneve përgjegjëse për të ngritur në një nivel më të lartë masat e sigurisë për mbrojtjen e nxënësve brenda dhe jashtë perimetrit të shkollave.
"Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme po punojnë intensivisht dhe falë masave të marra në paketën e sigurisë në shkolla, kemi mundësuar një rikoncpetim të perimetrit të sigurisë", tha ministrja Manastirliu.
Disa nga deputetët e opozitës shpalosën gjatë seancës pankarta me mbishkrimet "Siguri për fëmijët", "Arsim i cunguar është i barabartë me diktaturë të garantuar" dhe "Ogerta jep dorëheqjen".
- Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë
Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos. Kjo ngjarje shkaktoi reagime dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Pas ngjarjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Nisma në fjalë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij dhe pas rasteve të ndryshme të ekspozimit online të konflikteve mes të miturve.