Ali Murat Alhas
11 Dhjetor 2019•Përditësim: 11 Dhjetor 2019
Çështja e juridiksionit detar në Mesdheun Lindor ka fituar një dimension të ri, pasi Turqia së fundmi nënshkroi një marrëveshje me Libinë, tha kryeministri i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Ersin Tatar ka komentuar zhvillimet e fundit në Mesdheun Lidnor, marrëveshjen e caktimit të kufijve detar Turqi-Libi dhe marrëdhëniet e TRNC-së me Ankaranë.
Tatar thotë se qipriotët grekë të ishullit ndërmorën hapa të njëanshëm dhe vepruan së bashku me kompanitë ndërkombëtare të energjisë ndërsa u përpoqën të izolonin qipriotët turq.
TRNC ofroi krijimin e një komiteti të përbashkët që do të kërkonte burime natyrore në rajon dhe do të merrte vendime zyrtare. Megjithatë, sipas Tatarit, qipriotët grekë vazhdimisht kanë refuzuar këtë ofertë.
"Pas marrëveshjeve të Turqisë dhe aktiviteteve të licencimit me TRNC, marrëveshja e arritur me Libinë dhe ratifikimi i saj nga parlamentet, kanë sjellë një dimension të rëndësishëm për këtë çështje", tha ai.
Duke deklaruar se prania e ishujve të vegjël në Mesdheun Lindor nuk do të mundësojë krijimin e zonave ekskluzive ekonomike (EEZ) aq të mëdha sa kërkohen nga Greqia dhe qipriotët grekë, Tatar tha se marrëveshja Turqi-Libi i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe u bazua në fakte që lindën një hartë të freskët në rajon.
"Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe tendencave ndërkombëtare, Turqia ka më shumë për të thënë se kushdo tjetër në rajon me popullsinë e saj prej 82 milionë dhe vijën bregdetare prej mbi 1.800 kilometrash", tha ai.
Tatar tha se si Turqia ashtu edhe TRNC përpiqeshin të merrnin pjesën në rajon që u takon atyre dhe nuk kishin pretendime për pronat e askujt tjetër.
"Kur shikojmë hartën dhe detin, Turqia me të vërtetë ka pretendime dhe të drejta të mëdha", tha ai, duke shtuar se politikat e ndjekur nga grekët dhe qipriotët grekë nuk ishin të bazuara në drejtësi ndërsa Turqia dhe TRNC ishin plotësisht në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe relacionet rajonale.
Duke u bazuar në Anketën Gjeologjike të SHBA-ve, rajoni i Mesdheut vlerësohet se ka miliona fuçi naftë dhe triliona metra kub gaz natyror, që vlerësohen në qindra miliarda dollarë.
Turqia, nga ana e saj, i ka nxitur vendet e rajonit të marrin një qasje të barabartë, por thirrjet e saj kryesisht kanë hasur në vesh të shurdhër. Turqia vazhdon operacionet e saj të shpimit dhe zbulimit në rajon nën mbrojtjen e marinës së vendit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, të shtunën tha se Turqia nuk dëshiron ndonjë përshkallëzim në rajon, por është e gatshme për t'iu përgjigjur armiqësive të mundshme.