Ahmet Gürhan Kartal
13 Qershor 2017•Përditësim: 13 Qershor 2017
LONDËR (AA) – Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të prezantojnë masat e reja të cilat paralajmërohen si të ashpra ndaj kompanive teknologjike të cilat nuk do të heqin përmbajtjet ekstremiste, raporton Anadolu Agency (AA).
Risitë u njoftuan të martën nga qeveria britanike, para vizitës së kryeministres Theresa May në Paris, ku do të takojë presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Përpara bisedimeve që pritet të përqendrohen në luftën kundër terrorizmit, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se fushata e përbashkët do të synojë të mundësojë që interneti të mos jetë një hapësirë e sigurt për terroristët dhe kriminelët.
Planet do të përfshijnë shqyrtimin e mundësisë për të krijuar një mbështetje ligjore që kompanitë teknologjike të cilat nuk do të heqin përmbajtjet, të penalizohen me gjoba.
"Bashkëpunimi midis agjencive inteligjente britanike dhe franceze kundër terrorizmit tashmë është i fortë, por presidenti Macron dhe unë jemi pajtuar se duhet bërë më shumë në drejtim të trajtimit të kërcënimin terrorist në internet", tha May.
Kryeministrja britanike ka konfirmuar nga ana e saj, se dy liderët do të marrin në konsideratë "krijimin e një përgjegjësie të re ligjore" për kompanitë e teknologjisë që nuk arrijnë të heqin përmbajtjen “e papranueshme".