Ahmet Gürhan Kartal
12 Prill 2023•Përditësim: 12 Prill 2023
Mbretëria e Bashkuar njoftoi një pako të re sanksionesh që shënjestrojnë "ata që me vetëdije kanë ndihmuar oligarkët e sanksionuar rusë për të fshehur pasuritë e tyre në rrjete komplekse financiare", transmeton Anadolu.
"Përballë sanksioneve ndërkombëtare të paprecedentë në përgjigje të pushtimit të paligjshëm në shkallë të plotë të Putinit në Ukrainë, me ç'rast vetëm në Mbretërinë e Bashkuar është ngrirë pasuri ruse në vlerë prej mbi 18 miliardë sterlina, oligarkët janë përpjekur të mbrojnë pasurinë e tyre me ndihmën e mashtruesve financiarë, kompanive offshore, madje edhe duke përdorur anëtarët e familjes së tyre", thuhet në një deklaratë nga Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO).
Sipas FCDO-së, në mesin e të sanksionuarve janë edhe Demetris Ioannides dhe Christodoulos Vassiliades, dy "mundësues profesionistë" grekë qipriotë që mbështesin oligarkët kryesorë rusë Roman Abramovich dhe Alisher Usmanov.
Mbretëria e Bashkuar ka shënjestruar gjithashtu rrjetin financiar të Usmanovit, duke përfshirë kompanitë USM, Curzon Square Limited dhe Hanley Limited.
"Ne po mbyllim rrjetin mbi elitën ruse dhe ata që përpiqen t'i ndihmojnë të fshehin paratë e tyre për luftë", tha Sekretari i Jashtëm, James Cleverly, duke shtuar:
"Nuk ka vend për t'u fshehur. Ne do të vazhdojmë t'ua marrim pasurinë që ata mendonin se e kishin fshehur me sukses".
Cleverly gjithashtu u shpreh se Mbretëria e Bashkuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojë të godasë ata që po mbështesin luftën, duke u shprehur: "Ne nuk do të ndalemi derisa ta ndalet Putini".