Bota

Mbrojtja Civile e Gazës: Izraeli i lë në rrugë trupat e palestinezëve për qentë endacakë

Mbrojtja Civile tha se ka gjetur disa trupa palestinezë që ishin kthyer në skelete dhe theksoi se në disa raste ka parë qentë endacakë që ushqeheshin me trupa në disa lagje të enklavës palestineze

Ikrame Imane Kouachi  | 21.12.2024 - Përdıtësım : 21.12.2024
Mbrojtja Civile e Gazës: Izraeli i lë në rrugë trupat e palestinezëve për qentë endacakë

Istanbul

Mbrojtja Civile e Gazës ka raportuar se vrasja e palestinezëve nga forcat izraelite dhe lënia e trupave të tyre në rrugët ku ushqehen qentë endacakë është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Mbrojtja Civile shpjegoi se forcat izraelite në mënyrë të përsëritur kanë shënjestruar ekipet e shpëtimit dhe ambulancat, veçanërisht kur ato tentojnë t’u afrohen trupave të të vrarëve.

Ajo theksoi se Izraeli gjithashtu ka penguar përpjekjet për të nxjerrë trupat e mijërave palestinezëve të vdekur nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.

Mbrojtja Civile tha se ka gjetur disa trupa palestinezë që ishin kthyer në skelete dhe theksoi se në disa raste ka parë qentë endacakë që ushqeheshin me trupa në disa lagje të enklavës palestineze, përkatësisht në Zeitoun, Shujaiya, Tel al-Hawa, Jabalia, Tal al-Zaatar, Beit Hanoun dhe në disa pjesë të zonave lindore në Khan Younis dhe Rafah.

Duke theksuar se këto veprime nga Izraeli përbëjnë shkelje të Konventave të Gjenevës, organizata palestineze u bëri thirrje vendeve nënshkruese të “ndërmarrin veprime të menjëhershme për të siguruar pajtimin e Izraelit me ligjin ndërkombëtar”.

Ata kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që “t’i bëjnë presion Izraelit që të ndjekë protokollet e duhura për trajtimin e trupave të të vdekurve gjatë kohës së luftës”.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli nisi një luftë gjenocidale në Gaza që ka vrarë të paktën 45.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën kundër Gazës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.