Bota

Mediat franceze lavdërojnë mbrojtjen turke për reduktimin e varësisë nga jashtë

Në lajmin e kanalit francez BFMTV me titull "A po kalon mbrojtja e evropianëve nga Ankaraja" thuhet se "nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan, varësia e jashtme e ushtrisë turke ka rënë nga 70 për qind në 30 për qind

Şeyma Yiğit  | 13.03.2025 - Përdıtësım : 13.03.2025
Mediat franceze lavdërojnë mbrojtjen turke për reduktimin e varësisë nga jashtë

Ankara

Në një kohë kur vendet e Evropës kanë intensifikuar diskutimet për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe ndërtimin e një mbrojtjeje autonome evropiane në kuadër të garancive të sigurisë që do të sigurohen për Ukrainën, mediat franceze kanë shprehur lëvdata për Türkiyen e cila ka reduktuar ndjeshëm varësinë e saj të jashtme në aspektin ushtarak, transmeton Anadolu.

Në lajmin e kanalit francez BFMTV me titull "A po kalon mbrojtja e evropianëve nga Ankaraja" thuhet se "nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, varësia e jashtme e ushtrisë turke ka rënë nga 70 për qind në 30 për qind dhe se ky është një zhvillim që do t'i bëjë të kenë zili evropianët të varur ushtarakisht nga SHBA-ja".

Raporti thekson se "Marrëdhëniet Bruksel-Ankara nuk kanë qenë uniforme dhe se ka patur dallime mendimesh midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Türkiyes, veçanërisht në lidhje me anëtarësimin në Union", thuhet në lajmin në të cilin hapet diskutimi se "Mbrojtja evropiane nuk mund të jetë pa Türkiyen".

Lajmi potencon përparimin që Türkiye ka bërë vitet e fundit në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe thekson se produktet vendase të industrisë turke të mbrojtjes u eksportuan në më shumë se 180 vende, përfshirë edhe vendet evropiane si Polonia dhe Rumania.

Theksohet se avionët ajrorë pa pilot "me famë botërore" Bayraktar TB2 janë ndër pajisjet ushtarake të eksportuara nga Türkiye në shumë vende. Më tej në lajm u vendos në rend dite edhe pretendimi i "Financial Times" se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u bëri thirrje vendeve evropiane të krijojnë lidhje më të ngushta me Türkiyen në politikat e tyre të mbrojtjes.

Gjithashtu lajmi rikujton se Türkiye është aktor i rëndësishëm në aspektin e sigurisë kontinentale dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO pas SHBA-së.

Lajmi përmend edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan se "Nëse arkitektura evropiane e sigurisë do të riformohet, është e pamundur që kjo të ndodhë pa Türkiyen".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.