Murat Karadağ
20 qershor 2016•Përditësim: 21 qershor 2016
OAXACA (AA) – Njoftohet se gjashtë persona kanë humbur jetën në përplasjet që shpërthyen në shtetin jugor të Meksikës Oaxaca mes policisë dhe pjesëtarëve të Sindikatës së Mësuesve që po protestonin kundër reformës në arsim, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët thanë se në protestat që po vazhdojnë në tërë shtetin jugor, policia ka ndërhyrë duke hapur zjarr ndaj protestuesve të cilët gjuanin me gurë dhe koktej molotovi drejt policisë dhe digjnin automjetet.
Guvernatori i Oaxaca-s, Gabino Cue, në konferencën për media të organizuar së bashku me shefin e policisë federale Enrique Galindo, deklaroi se gjatë përplasjes 6 persona kanë humbur jetën. Cue shtoi se gjithsej 108 persona janë lënduar, prej të cilëve 53 civilë.
Ndërkohë, në deklaratën e bërë nga ana e Policisë Federale të Meksikës, njoftohet se policia nuk ka mbajtur armë dhe se ndaj protestuesve dhe forcave të sigurisë është hapur zjarr nga persona të paidentifikuar.
Në deklaratë thuhet se detyrë e policisë është mbrojtja e popullit dhe shoqërisë, ndërkohë që theksohet se policia ka ndërhyrë vetëm atëherë kur është hapur zjarr.
Nga ana tjetër, kompania shtetërore e naftës Pemex, paralajmëroi se mund të detyrohet që ta mbyllë rafinerinë në këtë rajon në rast se autostrada që lidh Oaxaca-n me kryeqytetin Meksiko vazhdon të ngelet e mbyllur.