Ayhan Şimşek
18 janar 2018•Përditësim: 18 janar 2018
BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbrojtur marrëveshjen e refugjatëve midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë, si dhe bëri thirrje për më shumë përpjekje lidhur me rivendosjen e refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij austriak, Sebastian Kurz, në Berlin, Merkel tha se mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së dhe ofrimi i mbështetjes për vendet që strehojnë miliona refugjatë ishin shtylla të rëndësishme në trajtimin e krizës.
"Isha shumë e habitur të shihja shumë kritika ndaj marrëveshjes BE-Turqi kur e konkluduam atë”, tha ajo, duke iu referuar kritikave të disa anëtarëve të BE-së, përfshirë Austrisë dy vjet më parë.
Kurz, i cili në vitin 2016 ishte ministër i jashtëm austriak, në atë kohë e kritikonte marrëveshjen, duke argumentuar se do ta bënte BE-në të varur nga Turqia.
Merkel tha se marrëveshja u dëshmua e suksesshme në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, duke shtuar se, “Nuk mendoj se mund ta lëmë atë tek trafikantët dhe kontrabandistët njerëzorë për të vendosur se kush mund të arrijë në Evropë dhe kush nuk mundet”.
Ajo poashtu bëri thirrje për më shumë përpjekje në tejkalimin e problemeve aktuale në rivendosjen e refugjatëve nga Turqia dhe nga vendet e tjera që strehojnë miliona refugjatë nga rajonet e konfliktit.
“Ne duhet të arrijmë më shumë përmes rivendosjes, përmes bashkëpunimit me UNHCR-në dhe marrëveshjeve me vendet përkatëse”, theksoi ajo.
Merkel prej kohësh ka qenë mbështetëse kryesore e marrëveshjes BE-Turqi të arritur në mars të vitit 2016, marrëveshje e cila kishte për qëllim dekurajimin e migrimit të parregullt përmes Detit Egje, duke vendosur masa më të rrepta kundër trafikantëve të njerëzve dhe përmirësimin e kushteve të rreth 3 milion rrefugjatëve sirianë në Turqi.
Megjithëse plani ka reduktuar me sukses flukset e migracionit të parregullt dhe ka ardhur si një lehtësim i rëndësishëm për Merkelin në politikën e brendshme, BE-ja nuk ka arritur që në kohë të japë fondet e premtuara për refugjatët në Turqi.
Planet e BE-së për rivendosjen e refugjatëve janë ngadalësuar, për shkak të ngurrimit midis shteteve anëtare.
Turqia pret më shumë refugjatë sirianë se çdo vend tjetër në botë. Ankaraja thotë se ka shpenzuar më shumë se 20 miliardë dollarë nga burimet e veta kombëtare për të ndihmuar dhe strehuar refugjatët që nga fillimi i luftës civile siriane.