Tuğrul Çam
21 Dhjetor 2018•Përditësim: 21 Dhjetor 2018
ANKARA (AA) - Bëhet e ditur se që nga tetori i vitit 2016 nga Turqia mbi 17 mijë njerëz kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian (BE), shumica e të cilëve janë anëtarë të Organizatës terroriste FETO raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve nga autoritetet turke, mësohet se pas tentativës së grusht shtetit të 15 korrikut 2016, pasi kanë lëshuar Turqinë mijëra anëtarë të FETO-s kanë vajtur në Evropë dhe kanë kërkuar azil në vendet anëtare të BE-së, kryesisht në Gjermani dhe Greqi.
Bëhet e ditur se numri i azilkërkuesve të parë në vendet e BE-së nga Turqia ka tejkaluar 17 mijë, shumica e të cilëve janë anëtarë të FETO-s, por theksohet se në mesin e tyre ka edhe anëtarë të PKK-së, një organizate tjetër terroriste.
Deri në vitin 2016 nga Turqia pothuajse nuk kishte asnjë kërkesë për azil në vendet e BE-së, ndërsa aktualisht BE-ja e rendit Turqinë midis vendeve të para nga origjina për azil-kërkues, së bashku me Sirinë, Iraku, Afganistani, Irani, Pakistani, Nigeria, Shqipëria, dhe Venezuela. Turqia më parë nuk ka qenë e përfshirë në një listë të tillë .
Sipas të dhënave të Zyrës Statistikore Evropiane (Eurostat), kërkesat për azil të turqve në vendet e BE-së janë rritur ndjeshëm gjatë 6 muajve të fundit. Në muajin maj teksa kishte 10 mijë e 623 dosje aplikimi të hapura, numri i aplikimeve në pritje deri në fund të tetorit u rrit në 17.333.
Rritja e numrit të aplikimeve për azil ka mundësi që të ndikojë edhe në procesin e liberalizimit të vizave që Turqia zhvillon me BE-në.
Po ashtu thuhet se kërkesat për azil, të cilat më parë nuk ishin në axhendën e BE-së, mund të ndikojnë negativisht në proces dhe disa anëtarë të BE-së, si Hungaria dhe Sllovakia, të cilët nuk duan të marrin refugjatë, ka gjasa të vënë në pikëpyetje procesin e liberalizimit të vizave. Gjithashtu vlerësohet se edhe propaganda e zezë e anëtarëve të organizatës terroriste, që kryejnë aplikime për azil, mund të ndikojnë në imazhin e Turqisë.