Ekip
06 Janar 2020•Përditësim: 07 Janar 2020
Mijëra iranianë kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të gjeneralit të lartë ushtarak Qasem Soleimani dhe udhëheqësit të milicisë irakiane, Abu-Mahdi al-Muhandis, në kryeqytetin Teheran të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).
Soleimani, kreu i forcave elitare të Gardës Revolucionare të Iranit dhe al-Muhandis, nënkryetari i forcave irakiane Hashd al-Shaabi, u vranë në një sulm ajrorë me dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit të premten.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, drejtoi lutjen për dy burrat në Universitetin e Teheranit, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.
Mijëra të pikëlluar brohorisnin "Vdekje Amerikës" dhe "Vdekje Izraelit", ndërsa bartnin pankarta duke kërkuar hakmarrje për Soleimanin.
Kufomat e Soleimanit dhe al-Muhandis arritën në Teheran të hënën në agim së bashku me kufomat e katër personave të tjerë të vrarë në sulmin ajror amerikan.
Vdekja e Soleimanit çoi në një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të acaruara që kur Trump vendosi në vitin 2018 që të tërheqë njëanshëm Washingtonin nga pakti i marrëveshjes mbi programin bërthamor me Iranin.
Të premten, organi i lartë i sigurisë i Iranit u zotua për "hakmarrje të ashpër" në "kohën e duhur dhe vendin e duhur" për vrasjen e Soleimani.
Pentagoni akuzoi Soleimanin për komplotin e një sulmi në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, dhe se po planifikonte të kryente sulme tjera mbi diplomatët dhe anëtarët e stafit amerikan në Irak dhe rajon.