Bota

Mijëra palestinezë ikin nga lagja Tel al-Sultan pasi Izraeli urdhëron banorët e Gazës të evakuohen

Sipas reporterit të Anadolut, familjet që lanë tendat e tyre mbanin pak sende me vete dhe lëvizën në këmbë drejt zonës al-Mawasi, që shtrihet përgjatë vijës bregdetare të Gazës nga Khan Younisi në veri të Deir al-Balahit

Ikrame Imane Kouachi  | 23.03.2025 - Përdıtësım : 24.03.2025
Mijëra palestinezë ikin nga lagja Tel al-Sultan pasi Izraeli urdhëron banorët e Gazës të evakuohen

Gaza

Mijëra palestineze kanë filluar të largohen nga zonat e tyre në lagjen Tel al-Sultan në perëndim të Rafahut në Rripin e Gazës jugore pas një urdhri evakuimi nga Izraeli, raporton Anadolu.

Sipas reporterit të Anadolut, familjet që lanë tendat e tyre mbanin pak sende me vete dhe lëvizën në këmbë drejt zonës al-Mawasi, që shtrihet përgjatë vijës bregdetare të Gazës nga Khan Younisi në veri të Deir al-Balahit.

Urdhri i evakuimit erdhi mes kushteve të rënda humanitare në të gjithë Gazën, e cila zyrtarisht hyri në fazën e parë të urisë javën e kaluar mes mbylljes së vazhdueshme të kalimeve kufitare të enklavës nga Izraeli që nga 2 marsi.

Ushtria izraelite urdhëroi banorët e Tel al-Sultanit që të evakuohen menjëherë, duke e quajtur rajonin një “zonë të rrezikshme luftarake”.

Ushtria izraelite gjithashtu paralajmëroi civilët që të mos përdorin automjete dhe kërcënoi me pasoja të rënda për banorët që mbeten në strehimore.

Autoritetet në Gaza njoftuan se të paktën 23 palestinezë u vranë në sulmet e fundit ajrore izraelite në Rafah dhe Khan Younis në Gazën jugore.

Të paktën 700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur në një fushatë të papritur ajrore nga Izraeli në Gaza që nga e marta e kaluar, duke e rrëzuar armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që u arrit në muajin janar.

Më shumë se 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe të paktën 113 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Izraeli për luftën brutale në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.