Gülşen Topçu
09 Shtator 2020•Përditësim: 09 Shtator 2020
Ushtria e Libisë njoftoi se një autokolonë prej 80 automjetesh ushtarake të milicëve të Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit ka lëvizur nga qyteti Al-Jufra drejt qytetit Al-Lud, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i ushtrisë së Libisë, Mohamed Qanunu, në deklaratën e tij të publikuar në faqen Facebook të operacionit "Burkan Al-Ghadab" të ndërmarrë nga ushtria e Libisë tha se autokolona me 80 mjete është dërguar në qytetin Lud në afërsi të qytetit Sirte.
Qanunu vuri në dukje se dërgesa e automjeteve ushtarake në fjalë është kryer pas 5 shkeljeve të mëparshme të armëpushimit nga milicët e Haftarit dhe se kanë dhënë udhëzime për ushtrinë e Libisë që të jenë në gadishmëri.
Vendimi për armëpushim në Libi
Kryeministri i Libisë, Fayez al-Sarraj dhe kreu i Parlamentit të Tobrukut, Aguila Saleh, aleati politik i Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, më 21 gusht njoftuan vendimin e marrë për armëpushim.
Në kuadër të armëpushimit, parashikohet që Sirte dhe Al-Jufra të jenë zona të demilitarizuara, të rifillojë prodhimi dhe eksportimi i naftës në vend, të largohen ushtarët mercenarë dhe të huaj nga vendi ndërsa në mars të vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe të Këshillit presidencial.