Ministrat evropianë të Mbrojtjes të bashkuar rreth mbështetjes për Ukrainën përballë pasigurisë me Trump-in
Ministrat nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Polonia shprehën vendosmëri për të marrë më shumë përgjegjësi për Evropën dhe të vazhdojnë mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën
Berlin
Ministrat e Mbrojtjes nga pesë vendet të mëdha evropiane u mblodhën dje në kryeqytetin gjerman Berlin për të ritheksuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe për të adresuar shqetësimet rreth ndryshimeve të mundshme në politikën e jashtme të SHBA-së me presidencën e dytë të Donald Trump-it, transmeton Anadolu.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, i cili ishte nikoqir i takimit, u tha gazetarëve se Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Polonia janë të vendosura të marrin më shumë përgjegjësi për Evropën dhe do të vazhdojnë mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën.
"Me presidentin Trump, me një administratë të re amerikane, disa gjëra do të ndryshojnë dhe sa më shpejt të përgatitemi për këtë, aq më mirë. Dhe sigurisht, ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me partnerët tanë evropianë", tha ai.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, gjithashtu u bashkua në një pjesë të takimit përmes lidhjes video, tha Pistorius, duke shtuar se ata diskutuan zhvillimet e fundit në vijën e frontit dhe nevojat ushtarake të Ukrainës.
Ministri gjerman nënvizoi se pesë shefat e mbrojtjes kishin rënë dakord të ruanin formatin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG) për të vazhduar lehtësimin e koordinimit midis aleatëve të NATO-s dhe Ukrainës.
Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, tha se aleatët evropianë do të vazhdojnë të ofrojnë armë dhe stërvitje për ushtarët ukrainas dhe Franca, së bashku me Italinë, do të ofrojnë sisteme të reja armësh, duke përfshirë raketat "Mistral" për Ukrainën.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Lecornu mohoi raportin e fundit të gazetës franceze Le Monde që pretendonte se Franca dhe Britania e Madhe po diskutonin dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë.
"U befasova kur e lexova dhe sinqerisht nuk e kam kuptuar fare", tha ai në përgjigje të pyetjes së një gazetari, duke shtuar:
"Presidenti francez po planifikon një konferencë që do të mbahet në shkurt dhe në këtë konferencë ne duam të mendojmë se çfarë mund të bëjmë ndryshe në të ardhmen. Dhe ai tha se nuk ka tema tabu".
Ministri francez gjithashtu u shpreh se ka projekte të ndryshme të cilat po i konsiderojnë, përfshirë mundësitë për rritjen e prodhimit të sistemeve të armëve afër vijës së frontit.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se në takim, aleatët evropianë riafirmuan angazhimin e tyre ndaj NATO-s dhe u zotuan të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në përgjigje të kërcënimeve në rritje.
"Së pari dhe më kryesorja, ne diskutuam me ministrin Rustem Umerov nevojën për të dyfishuar mbështetjen tonë për Ukrainën, sepse mbrojtja e Evropës, mbrojtja e Britanisë së Madhe, fillon në Ukrainë, dhe nëse presidenti rus Vladimir Putin dominon në Ukrainë, ai nuk do të ndalet aty", tha ai, duke argumentuar më tej se synimi i Rusisë është destabilizimi i demokracive në të gjithë Evropën.
"Teksa lufta në Ukrainë hyn në një fazë kritike, kjo është koha që Evropa të përshpejtojë sigurinë tonë dhe mbrojtjen tonë kolektive. Ne po punojmë së bashku për të forcuar krahun lindor të NATO-s. Ne po punojmë së bashku për të forcuar bashkëpunimin në zhvillimin e mbrojtjes ajrore", tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.