Fatjon Cuka
24 shtator 2026•Përditësim: 24 shtator 2026
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Hoxha mori pjesë në drekën e thirrur në New York nga Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me liderë dhe ministra të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha tha se diskutimet u përqendruan në situatën dhe dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë të vazhdueshëm "në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë".
"Ne nënvizuam rëndësinë e konkretizimit të perspektivës së BE-së për të gjithë rajonin, ruajtjen e momentit të procesit të zgjerimit, avancimin e reformave dhe ankorimin e fortë të Ballkanit Perëndimor brenda familjes evropiane. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të saj të vazhdueshëm të anëtarësimit në BE dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal, si dhe në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt", është shprehur Hoxha.
Ministri Hoxha po qëndron në New York si pjesë e delegacionit të Shqipërisë në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.