Ministri i Jashtëm izraelit: Nuk duam të përballemi me Türkiyen në Siri apo në ndonjë vend tjetër
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me ndikimin e Türkiyes në Siri, Saar tha: "Ne nuk duam të përballemi me Türkiyen në Siri apo në ndonjë vend tjetër"

Kuds
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar tha se ata nuk duan të përballen me Türkiyen në Siri apo në ndonjë vend tjetër, transmeton Anadolu.
Saar foli në një konferencë të përbashkët për media që mbajti në Kudsin Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e cila po viziton Izraelin.
Duke thënë se BE-ja është partneri kryesor tregtar i Izraelit, Saar tha se ata "ndajnë vlera, interesa dhe histori të hidhur të përbashkët, por herë pas here përjetojnë edhe mendime të ndryshme".
Saar mbrojti idenë se Izraeli ishte një përfitim strategjik për BE-në. "Lufta jonë në rajon kundër Iranit, Huthive, Hamasit dhe Hezbollahut është për qytetërimin perëndimor", tha ai.
Pasi deklaroi se Izraeli e pranoi ofertën e armëpushimit në Gaza nga përfaqësuesi special i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, por që Hamasi e refuzoi atë, Saar tha se "lufta mund të përfundojë nesër me lirimin e të burgosurve izraelitë në Gaza, çarmatosjen e Gazës dhe tërheqjen e elementëve të armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik nga atje".
Duke iu referuar pengimit të ndihmës humanitare nga Izraeli në Gaza, Saar shprehu pretendimin e tij se Hamasi ka marrë fuqi nga ndihmat humanitare dhe se për këtë arsye vendi i tij po vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ai vuri në dukje se Izraeli nuk do të vazhdojë me rregullin e vjetër për shpërndarjen e ndihmave në Gaza dhe se do të krijojë një sistem ndryshe nga e kaluara ndërsa nuk dha detaje lidhur me këtë.
- "Ne nuk duam të dalim ballë për ballë me Türkiyen në Siri"
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me ndikimin e Türkiyes në Siri, Saar tha: "Ne nuk duam të përballemi me Türkiyen në Siri apo në ndonjë vend tjetër".
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Izraeli ka diskutuar apo jo me SHBA-në për mundësinë e pushtimit të plotë të Gazës dhe vendosjes së kontrollit ushtarak, Saar tha se kjo çështje ende nuk është vendosur nga qeveria.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.