Bota

Ministri izraelit flet për urinë e gjyshes së tij gjatë Holokaustit por nuk heq embargon e ndihmës në Gaza

Bezalel Smotrich është ndër politikanët në Izrael që mbrojnë vazhdimin e embargos së ndihmës humanitare në Rripin e Gazës

Burak Dağ  | 24.04.2025 - Përdıtësım : 25.04.2025
Ministri izraelit flet për urinë e gjyshes së tij gjatë Holokaustit por nuk heq embargon e ndihmës në Gaza

Kuds

Ministri izraelit i Financave nga krahu i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, i cili mbron embargon e ndihmës humanitare që Izraeli zbaton në Rripin e Gazës, ka rrëfyer për urinë që ka përjetuar gjyshja e tij gjatë Holokaustit (gjenocidi ndaj hebrenjve), transmeton Anadolu.

Smotrich në një postim në rrjetin social X shpërndau pamjet nga takimi i tij me Marian Miller, e cila i ka mbijetuar Holokaustit.

Edhe pse ai personalisht këmbëngul për vazhdimin e embargos së ndihmës humanitare që Izraeli zbaton në Rripin e Gazës që nga 2 marsi, Smotrich në takimin me Miller foli edhe për urinë që gjyshja e tij ka përjetuar gjatë Holokaustit.

"Një temë e përsëritur në tregimet e saj ishte uria. Gjyshja ime gjithmonë fliste për urinë. Një vajzë e vogël që ka qenë e uritur gjatë gjithë kohës sepse nuk ka ngrënë për disa vite. Ditën dhe natën, derisa ka qenë e zgjuar dhe madje edhe kur ka fjetur, në geto dhe në marshimet e vdekjes - uri", u shpreh Smotrich.

Smotrich, i cili tha se dëshironte shumë vite më vonë t'i tregonte gjyshes së tij, e cila vuajti nga uria gjatë Holokaustit, se nipi i saj do të "përpiqet të sigurojë që asnjë fëmijë të mos ketë uri", është ndër politikanët në Izrael që mbrojnë vazhdimin e embargos së ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

Ministri izraelit më 7 prill ka thënë se nuk do të lejojnë hyrjen e "madje edhe të një cope të grurit" në Rripin e Gazës.

Përderisa rreth 2,3 milionë palestinezë që jetojnë në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka ndaluar mbërritjen e ndihmave që nga 2 marsi, po luftojnë me urinë, furrat e bukës në Gaza nuk kanë qenë në gjendje të prodhojnë për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së miellit dhe karburantit.

Ndërkohë, për shkak të embargos Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëron për një fatkeqësi të urisë së shkaktuar nga njeriu në Rripin e Gazës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın