Ekip
12 Korrik 2022•Përditësim: 14 Korrik 2022
Kampioni i katër-fishtë olimpik, Mo Farah, ka zbuluar se ai ka ardhur në Britani ilegalisht nga Xhibuti duke përdorur emrin e një fëmije tjetër, transmeton Anadolu Agency (AA).
“E vërteta është se unë nuk jam ai që ju mendoni se jam”, tha 39-vjeçari Farah për BBC në një dokumentar të quajtur “Mo Farah i Vërtetë (The Real Mo Farah)”.
Farah, i cili u bë atleti i parë britanik që fitoi katër medalje të arta olimpike, tha se fëmijët e tij e kanë motivuar të flasë të vërtetën për të kaluarën e tij.
“Historia e vërtetë është se unë kam lindur në Somaliland, në veri të Somalisë, si Hussein Abdi Kahin”, tha ai për BBC.
“Përkundër asaj që kam thënë në të kaluarën, prindërit e mi nuk kanë jetuar kurrë në Britani të Madhe", shtoi ai.
“Kur isha katër vjeç, babai im u vra në luftën civile, ju e dini se si familje ne u ndamë. Unë u ndava nga nëna ime dhe më sollën ilegalisht në Britani të Madhe me emrin e një fëmije tjetër të quajtur Mohamed Farah”, shpjegoi ai.
Gjatë dokumentarit, Farah tha se kishte menduar se do të shkonte në Evropë për të jetuar me të afërmit, duke treguar se si kishte kaluar kontrollin britanik të pasaportës nën maskën e Mohamedit në moshën nëntë vjeç, pasi kishte udhëtuar me një grua që nuk e njihte më parë.
“I kisha të gjitha të dhënat e kontaktit për të afërmin tim dhe sapo arritëm në shtëpinë e saj, zonja ma mori dhe para meje i grisi dhe i futi në kosh dhe në atë moment e kuptova se isha në telashe”, tha ai.
Atleti u kthye në shtëpinë e tij të fëmijërisë në Londrën perëndimore, duke kujtuar "kujtime jo të mira" ku ai nuk trajtohej si pjesë e familjes.
Farah përfundimisht i tregoi të vërtetën mësuesit Alan Watkinson dhe u transferua të jetonte me mamanë e mikut të tij që kujdesej për të dhe ai aty qëndroi për shtatë vjet.
Watkinson ishte ai që aplikoi për nënshtetësinë britanike të Farah, të cilën ai e përshkroi si një "proces të gjatë". Farah mori shtetësinë britanike në vitin 2000.