Hakan Ceyhan Aydoğan
14 Prill 2017•Përditësim: 15 Prill 2017
MOSKË (AA) - Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologët e tij nga Irani dhe Siria, Xhevad Zarif dhe Velid Muallim, janë takuar sot në Moskë në një takim trepalësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Lavrov theksoi se gjatë takimit me Zarif dhe Muallim kanë shqyrtuar zhvillimet e fundit pas goditjes së bazës ajrore të regjimit të Sirisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Lavrov tha se palët që morën pjesë në takim e konsiderojnë si akt agresiviteti dhe kundër së drejtës ndërkombëtare sulmin amerikan ndaj bazës ajrore të regjimit, duke bërë thirrje që ngjarjet e tilla të mos përsëriten.
Duke tërhequr vëmendjen se aktet e tilla mund të kenë rezultate serioze në aspektin rajonal dhe global, Lavrov u shpreh: "Është e papranueshme të shkelet e drejta ndërkombëtare. Është e qartë se aktet e tilla kanë për qëllim sabotimin e procesit të paqes dhe gjetjen e arsyetimeve për ndryshimin e regjimit".
Ndërkaq, në lidhje me sulmin me armë kimike të regjimit në Han Shejhun të prefekturës së Idlibit, Lavrov përsëriti qëndrimin se duhet zhvilluar hetim i pavarur dhe i detajuar për sulmin në Han Shejhun, nga një komision në kuadër të Organizatës për Preventimin e Armëve Bërthamore, në të cilin do të merrnin pjesë edhe përfaqësues nga shtetet e rajonit.
Sipas tij, kriza e Sirisë nuk ka zgjidhje tjetër pos zgjidhjes politike-diplomatike. Ai njoftoi se gjatë takimit me homologët kanë diskutuar edhe për bisedimet në Astana.
"Aktet e njëanshme janë të papranueshme"
Ministri i Jashtëm i Iranit, Zarif, duke folur në lidhje me sulmin amerikan ndaj bazës ajrore të regjimit, tha se "Aktet e njëanshme dhe të dhunshme që cenojnë sovranitetin e shtetit janë të papranueshme".
Zarif theksoi se kanë kërkuar hetimin e sulmit kimik në Idlib, duke shtuar se SHBA-të vendosën ta sulmojnë Sirinë, në vend se të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Han Shejhun.
"Me Rusinë jemi duke bërë punime serioze që kjo gjendje të hetohet në Hagë. Nuk e pranojmë hetimin nga larg. Hetimi duhet bërë në vendin e ngjarjes", theksoi Zarif.
Zarif shtoi se bisedimet në Astana janë të rëndësishme për gjetjen e zgjidhjes politike për krizën e Sirisë.
"Nuk i pranojmë rezultatet e hetimit"
Në ndërkohë, ministri i Jashtëm i Sirisë, Mualim, pohoi se nuk kanë përdorur armë kimike kundrejt popullit të tyre dhe se pamjet që kanë ardhur nga Han Shejhuni janë montazhe.
Muallim theksoi se e përkrahin ofertën e Rusisë dhe Iranit për hapjen e hetimit për sulmin kimik, duke falënderuar Lavrovin dhe Zarifin për mbështetjen e dhënë.
Muallim tha se janë marrë mostra nga të plagosurit e sjellë në Turqi nga Idlibi në hetimin e drejtuar nga Organizata për Preventimin e Armëve Kimike dhe se për këtë arsye nuk i pranojnë rezultatet që do të dalin.