İnci Gündağ
17 Mars 2018•Përditësim: 18 Mars 2018
LONDËR (AA) – Pas vendimit të Rusisë për dëbimin e 23 diplomatëve britanikë dhe mbylljes së konsullatës britanike, Britania e Madhe tha se e priste një përgjigje të tillë nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe në një deklaratë me shkrim bën të ditur se ambasadori britanik në Moskë është njoftuar nga qeveria e Rusisë për dëbimin e 23 diplomatëve britanikë si dhe për mbylljen e konsullatës britanike në Moskë dhe Shën Petersburg.
“Në drejtim të veprimeve të mëparshme të Rusisë, ne e prisnim një vendim të tillë. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në fillim të javës së ardhshme do të mblidhet për të diskutuar për hapat e mëtejmë. Prioriteti i sotëm është të kujdesemi me stafin tonë në Rusi dhe t’i ndihmojmë ata që do të kthehen në Britani", thuhet në njoftim.
“Përgjigjja e Rusisë nuk i ndryshon të vërtetat lidhur me çështjen. Rusia ka bërë tentativë për vrasje të dy personave në territorin e Britanisë së Madhe. Nuk ka ndonjë rezultat tjetër që mund të gjendet për fajtor, përveç shtetit të Rusisë. Rusia është ajo që ka vepruar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe ka shkelur Konventën e Armëve Kimike”, thuhet më tej në njoftim.
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka njoftuar se për shkak të akuzave “provokative” të Britanisë ndaj Rusisë në lidhje me helmimin e ish agjentit rus Sergey Skripal dhe vajzës së tij Yulia, 23 diplomatë britanikë janë shpallur "persona të padëshiruar" dhe se është marrë vendimi për dëbimin e tyre nga Rusia.
Qeveria britanike më parë bëri të ditur se ka marrë vendime për sanksione ndaj Rusisë për shkak të helmimit të Skripal-it dhe se në këtë kuadër do të dëbojë 23 diplomatë rusë. Në mesin e vendimeve ishte edhe tërheqja e ftesës për vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov të cilën do ta zhvillonte në Britani.
Në kuadër të kësaj qëndronte edhe vendimi që në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Rusi nuk do të ketë pjesëmarrje nga familja mbretërore dhe nga udhëheqësit e shtetit britanik.
Skripal 66 vjeç dhe vajza e tij Julia 33 vjeç u pranuan në spital më 4 mars pasi u gjetën pa vetëdije në qytetin jugor britanik Salisbury.
Që atëherë, zyrtarët britanikë kanë theksuar se është "shumë e mundshme" që Moska të ketë qenë prapa sulmit të cilin ata e përshkruajnë si sulm kimik, pjesërisht për shkak se kanë gjetur se agjenti nervor i përdorur në helmim është nga grupi i armëve kimike Novichok të zhvilluara nga Rusia gjatë Luftës së Ftohtë.
Incidenti është krahasuar me vdekjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko në vitin 2006, pasi u helmua me një substancë radioaktive në një hotel në Londër. Pas kësaj ishin dëbuar 4 diplomatë rusë.
Skripal-it iu dha strehim në Britani pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ishte në vuajtje të dënimit me 13 vite burg për rrjedhje të informacioneve ndaj inteligjencës britanike.