Bota

MPJD dënon deklaratën e Serbisë lidhur me memorandumin e sigurisë Kosovë-Shqipëri-Kroaci

MPJD-ja ka thënë se deklarata e Serbisë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por përbën edhe shkelje të hapur të Marrëveshjes së Brukselit

Agim Sulaj  | 20.03.2025 - Përdıtësım : 21.03.2025
MPJD dënon deklaratën e Serbisë lidhur me memorandumin e sigurisë Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Prishtinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës e ka dënuar deklaratën e Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë për aleancë ushtarake, transmeton Anadolu.

MPJD-ja ka thënë se deklarata e Serbisë - e cila e quajti "provokim" marrëveshjen dhe se do t'u dërgojë kërkesë urgjente ministrave të jashtëm të Kroacisë e Shqipërisë për t'u kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me këtë, nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por përbën edhe shkelje të hapur të Marrëveshjes së Brukselit e cila parashikon se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas MPJD-së, nga përfshirja e drejtpërdrejtë e Serbisë në luftërat e viteve të 90-ta të cilat rezultuan në gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, e deri te kërcënimet e saj të vazhdueshme, grumbullimi ushtarak pranë kufijve të Kosovës dhe mbështetja për rrjetet kriminale dhe terroriste që operojnë në veri të Kosovës "Serbia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë rajonale".

"Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si 'garantuese e paqes në Ballkan' është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit", thuhet në reagim.

MPJD tutje thotë se në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe thellësisht mashtruese, Serbia duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t'u bërë një aktor përgjegjës në rajon, duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

"Përpara se Serbia t'u mbajë leksione të tjerëve për paqen dhe stabilitetin, ajo duhet të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që krimet e saj të përballen me drejtësinë. Veçanërisht, arkivat e klasifikuara të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer krime të shumta lufte dhe masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë gjatë viteve 1998-1999, duhet të bëhen publike dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi para ligjit", thotë MPJD e cila shton se nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë ta forcojë sigurinë dhe partneritetin e saj ndërkombëtar.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka cilësuar si "provokim" marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes të nënshkruar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, ku në një reagim publik ajo tha se Serbia do t'u dërgojë kërkesë urgjente Ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, për të kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunim ushtarak.

Më 18 mars në Tiranë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, një bashkëpunim i cili synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın