Mungesa e peshkut godet Gambinë, dëmton jetën e njerëzve
Një OJQ amerikane ndihmon marinën gambiane të ndalojë peshkatoret kineze që peshkojnë në mënyrë të paligjshme, duke i shterur kështu burimet në ujërat afrikanë

Banjul
Pavarësisht se Lumi Gambia përshkon territorin e tij dhe ndan një vijë bregdetare të gjatë 80 kilometra në Oqeanin Atlantik, peshqit po shteren shpejt nga ujërat e Gambisë, duke prekur gati 200 mijë.
"Nuk ka peshk në ujëra. Ne dikur kapnim deri në 90 tabaka peshku sardeleje në ditë dhe tani mezi kapim pesë tabaka në ditë", tha peshkatari Dembo Touray, 37 vjeç, i ulur në një dërrasë druri afër një depoje të ftohtë në Bakau, vendi i komunitetit më të madh të peshkimit në vend, 16 minuta me makinë nga kryeqyteti Banjul.
Peshkatarët përjetuan një rënie të ndjeshme të kapjeve dhe, sikurse Touray, thonë që ka pasur rënie prej 84 për qind.
Ismaila Jassey, peshkatar përgjatë 30 viteve të fundit, po përballet me fat të ngjashëm. Ai tha se madje edhe për një kapje mesatare, peshkatarët duhet të udhëtojnë larg, thellë në det, që do të thotë më shumë investime në karburant dhe rrjeta.
Duke cituar një studim të kryer nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Dawda Saine, biolog detar, tha për Anadolu Agency (AA) se rezervat e peshkut janë shfrytëzuar jashtë mase në Gambia.
Po ashtu, duke folur për AA, shitësi i peshkut, Abdourahman Ceesay, 28 vjeç, tha se sasia e peshkut që ai më parë e shiste në dy ditë, tani zgjat dy javë. Për shkak të mungesës së peshkut, çmimet gjithashtu janë rritur në masë të madhe.
"Një kilogram elops dhe shtizë deti tani kushton 5 dollarë. Shumica e njerëzve nuk mund ta përballojnë këtë. Disa peshq peshojnë rreth pesë ose gjashtë kilogramë, që do të thotë që një klient duhet të harxhojë 20 dollarë, që është e pabërballueshme për xhepin e një personi të zakonshëm", tha ai.
Megjithëse Gambia ka një zonë ekonomike ekskluzive (EEZ) prej 321 kilometrash, për shkak të kapacitetit të kufizuar të marinës së vendit, vetëm 96 kilometra shfrytëzohen, sipas ministrit të Peshkatarisë James Gomez. Ky boshllëk në kapacitetin e mbikëqyrjes detare të vendit do të thotë që peshkatore të paligjshme depërtojnë në ujërat e vendit për të shfrytëzuar burimet.
Për të ndihmuar peshkatarët e vegjël, ligji i Gambisë ndalon peshkatarët për të kapur peshk brenda një distancë prej 16 km ose 9 milje detare nga brigjet. Por në mungesë të një sistemi të fortë mbikëqyrjeje, peshkatoret shpesh shkelin ligjin.
"Ka peshkatore në gjithë vendin. Mund t’i shihni edhe më pak se 150 metra nga brigjet. Ata përdorin rrjeta me madhësi të këqija dhe vrasin peshq pa dallim", thotë Touray.
Humbje të mëdha parash
Sipas një raporti të botuar nga një Panel i Nivelit të Lartë për një Ekonomi të Qëndrueshme të Oqeanit në muajin gusht, vende si Gambia, Guinea, Guinea-Bissau, Mauritania, Senegali dhe Sierra Leone po humbin gati 2,3 miliardë dollarë nga peshkimi i paligjshëm në vit.
Me ndihmën e një OJQ-je me bazë në SHBA, të quajtur Sea Shepherd, së fundmi kanë ndodhur shumë arrestime dhe shumë prej pronarëve të peshkatoreve janë zbuluar të kenë qenë shtetas kinezë.
Më 27 gusht 2019, marina arrestoi dy anije peshkimi, Lao Yuan Yu 010 dhe Victory 205, për disa shkelje, duke përfshirë peshkimin pa regjistër brenda një zone prej nëntë miljesh detare. Po ashtu, dy muaj më vonë, Marina e Gambisë që po operonte anijen Sea Shepherd, ndaloi dhjetë peshkatore.
Bamba Banja, sekretari i përhershëm i Ministrisë së Peshkatarisë, u ankua për mungesën e kapacitetit të qeverisë për të kontrolluar peshkimin e paligjshëm.
"Si qeveri, ne jemi të hendikepuar. Ne po ndihmojmë marinën për të marrë një anije për të patrulluar më mirë këto zona. Kapaciteti është pengesë kryesore", ka thënë ai.
Të dhënat në dispozicion në ministrinë e tij sugjerojnë se në dy vjet, 2018-19, autoritetet kanë kapur 32 anije peshkimi.
Gjersa në vitin 2015 ish-presidenti Yahya Jammeh e kishte ndaluar peshkimin industrial, ndalesa u hoq nga qeveria pasuese në vitin 2017, e cila dha 73 licenca. Që atëherë janë dhënë edhe më shumë licenca.
Në 2018, Gambia gjithashtu bëri një marrëveshje me Senegalin, duke lejuar që anijet e peshkimit industrial të kapërcejnë ujërat përkatëse. Vendi gjithashtu nënshkroi një pakt gjashtëvjeçar me Bashkimin Evropian që lejon anijet të kapin 3.300 tonë të peshkut ton dhe 750 tonë merluc çdo vit.
Si çmim për këtë, BE-ja ka rënë dakord të kontribuojë me 550.000 euro për të zhvilluar kapacitetin e peshkimit dhe për të përmirësuar të ardhurat e qeverisë.
"Qasja e mundësuar për peshkatarët senegalezë në bazë të marrëveshjes ka rritur flotën që shfrytëzon detin e hapur", thuhet në një studim shkencor të publikuar nga FAO në vitin 2017.
Prodhimi i miellit të peshkut
Gambia ka tri fabrika të mellit dhe vajrave të peshkut që gjenden në zemër të një prej lokaliteteve më të ngarkuara të peshkimit në vend, Sanyang, Kartong dhe Gunjur. Kërkimet kanë treguar se mielli i peshkut është faktor kryesor, duke detyruar peshkimin e tepërt dhe kapjet e paligjshme në ujërat e vendit. Mielli i peshkut është produkt komercial i bërë nga peshku që përdoret për të ushqyer kafshët e fermës.
Duke folur për AA, Peter Hammarstedt, kapiten në anijen Sea Shepherd, e cila ndihmon marinën gambiane, tha se disa nga peshkatoret e ndaluara që kishin hyrë në zona me 9 milje detare kishin planifikuar të shpërndanin peshq në fabrikat e miellit të peshkut. Nga 16 peshkatoret e kapura që nga viti 2019, 11 ishin në zonën e administrimit të veçantë.
Shumë aktivistë mjedisorë, si Ahmed Manjang, protestojnë kundër prodhimit industrial të miellit të peshkut. Ai tha për AA se peshqit e lirë si sardela dhe bonga përdoren për të prodhuar miell peshku, duke i bërë ato të padisponueshëm për një person të zakonshëm, burimi i vetëm i të cilit për proteina shtazore është peshku.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.