Bota

Musk dhe Trump paditen nga 14 shtete, argumentojnë se roli i miliarderit është jokushtetues

"Autoriteti gjithëpërfshirës që i është dhënë tani një individi të vetëm të pazgjedhur dhe të pakonfirmuar është në kundërshtim me të gjithë strukturën kushtetuese të vendit", tha grupi prej 14 shtetesh amerikane

Muhammed Enes Çallı  | 14.02.2025 - Përdıtësım : 14.02.2025
Musk dhe Trump paditen nga 14 shtete, argumentojnë se roli i miliarderit është jokushtetues

Istanbul

Një grup prej 14 shtetesh kanë paditur kreun e Departamentit të Efiçencës së Qeverisë (DOGE), Elon Musk dhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke pretenduar se autoriteti i dhënë miliarderit të teknologjisë dhe departamentit të udhëhequr nga ai është jokushtetues, transmeton Anadolu.

Siç raporton "The Hill", koalicioni i shteteve, i udhëhequr nga New Mexico, argumenton se roli i gjerë i Muskut si kreu i DOGE-s shkel Klauzolën e Emërimeve të Kushtetutës. Ata thanë se kjo është për shkak se ai nuk është konfirmuar nga Senati.

"Fuqia në dukje e pakufishme dhe e pakontrolluar e Muskut për të zhveshur qeverinë nga fuqia punëtore dhe për të eliminuar departamente të tëra me goditjen e një stilolapsi ose klikimi të mausit do të ishte tronditëse për ata që fituan pavarësinë e këtij vendi", shkruan ata.

Sipas tyre, nuk ka asnjë zyrë të SHBA-së, përveç asaj të presidentit, me fuqinë e plotë të Degës Ekzekutive dhe "autoriteti gjithëpërfshirës që i është dhënë tani një individi të vetëm të pazgjedhur dhe të pakonfirmuar është në kundërshtim me të gjithë strukturën kushtetuese të vendit".

14 shtetet amerikane, Arizona, Michigani, Kalifornia, Connecticuti, Hawaii, Marylandi, Massachusettsi, Minesota, Nevada, Oregoni, Ishulli Rhode, Vermonti, Washingtoni dhe New Mexico, po i kërkojnë gjykatës të bllokojë Muskun dhe ekipin e tij të DOGE-s nga ndërmarrja e një sërë veprimesh.

Ata synojnë të ndalojnë shefin e kompanisë Tesla dhe ndihmësit e tij që të bëjnë ndryshime në shpërndarjen e fondeve publike, kontratat qeveritare, rregulloret ose personelin si dhe në qasjen ose ndryshimin e sistemeve të të dhënave.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.