Në bombardimet izraelite janë vrarë 34 gazetarë
Në sulmin izraelit më 26 tetor ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Al-Nuseirat humbën jetën shumë persona, përfshirë bashkëshorten, djalin dhe vajzën e gazetarit të televizionit Al Jazeera, Wael al-Dahdouh
Kuds
Në sulmet dhe bombardimet intensive të kryera nga Izraeli që nga 7 tetori kundër Rripit të Gazës nën bllokadë, janë vrarë 34 gazetarë, transmeton Anadolu.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza publikoi emrat e gazetarëve që janë vrarë në Rripin e Gazës e cila prej 23 ditësh mbahet nën sulme intensive nga Izraeli.
Sipas deklaratës, deri më tani në sulme janë vrarë 34 gazetarë, përfshirë 3 gra, ndërsa edhe shumë gazetarë kanë humbur të afërmit e tyre në sulmet izraelite.
Në sulmin e Izraelit më 26 tetor që shënjestroi një shtëpi në kampin e refugjatëve Al-Nuseirat humbën jetën shumë persona, përfshirë bashkëshorten, djalin dhe vajzën e gazetarit të televizionit Al Jazeera, Wael al-Dahdouh.
Edhe në përleshjet e shënuara në kufirin e Izraelit me Libanin, si pasojë e zjarrit izraelit humbi jetën një gazetar libanez.