Nazmi Abduramani
08 Mars 2017•Përditësim: 09 Mars 2017
SHKUP (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë kanë reaguar lidhur me transformimin e Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Stoltenberg në një deklaratë të bërë publike në ueb faqen e NATO-s shpreh shqetësimin që ia ka përcjellë kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi për propozimin e transformimit të FSK-së në një forcë të armatosur, pa mos ndryshuar Kushtetutën.
Thaçi dorëzon projektligjin për transformimin e FSK-së
“Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’iu përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, pa ndryshime Kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”.
Stoltenberg më tej vazhdon e thotë se mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje të Kosovës.
“Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e tyre. Megjithë këtë, nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, do t’i duhet NATO-s që ta vlerësojë nivelin e përkushtimit të saj, posaçërisht në fushën e ndërtimit të kapaciteteve", thuhet në deklaratë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg thekson se këtë e ka bërë të qartë edhe gjatë vizitës së tij në Kosovë gjatë muajit shkurt.
"E kam bërë këtë të qartë gjatë vizitës time në Kosovë në muajin shkurt dhe e kam ripërsëritur në bisedat telefonike të zhvilluara sot. Jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e mi në BE”, përfundon deklarata e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë reagon lidhur me procesin e transformimit të FSK-së
Në një komunikatë nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë thuhet se SHBA-ja mbështet transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s, por duke vlerësuar se ky transformim duhet të bëhet përmes një procesi politik gjithëpërfshirës, në pajtim me Kushtetutën.
“Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë të tillë që e rrit sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, dje Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli Projektligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme me kryetarët e grupeve parlamentare mori vendim për t’i proceduar Qeverisë projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.