13 Shkurt 2023•Përditësim: 13 Shkurt 2023
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se vendet e NATO-s duhet të përshpejtojnë prodhimin ushtarak që të jenë në gjendje të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe të ruajnë rezervat, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media para takimit të nesërm të shefave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, Stoltenberg tha se seanca do të “përqendrohet në mënyrat për të rritur kapacitetin tonë industrial të mbrojtjes dhe për të ri-mbushur vendet e rezervave”, sepse sipas tij “lufta në Ukrainë po konsumon një sasi të madhe të municioneve dhe po shteron rezervat aleate”.
Stoltenberg theksoi se vendet e NATO-s duhet të “rrisin” prodhimin pasi “shkalla aktuale e shpenzimeve të municionit e Ukrainës është shumë herë më e lartë se shkalla aktuale e prodhimit” e aleancës.
Ai ripohoi se NATO do të qëndrojë me Ukrainë “për aq kohë sa duhet”, por paralajmëroi se “jemi në një garë logjistike”.
Shefi i NATO-s tha se ministrat e mbrojtjes po ashtu do të diskutojnë mundësinë e dorëzimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por shpjegoi se kjo nuk konsiderohet si përfshirje e aleancës ushtarake në Ukrainë.
Ai pohoi se “prioriteti i tij kryesor” është të garantojë që aleatët të zotohen për mbështetje për Ukrainën dhe të përshpejtojnë shpërndarjen e automjeteve luftarake të këmbësorisë, armaturës dhe tankeve të betejës, sepse “çdo ditë ka rëndësi”.
Ministrat e NATO-s gjithashtu pritet të bien dakord për krijimin e një rrjeti të ri virtual të satelitëve, i cili sipas shefit të NATO-s, do të përmirësojë aftësitë e inteligjencës dhe mbikëqyrjes së NATO-s, si dhe do të lehtësojë “komunikimin më të mirë të navigimit dhe paralajmërimin e hershëm të lëshimeve të raketave”.
Ministrat do të diskutojnë edhe mbështetjen për Bosnjë e Hercegovinën (BeH), Gjeorgjinë dhe Moldavinë, si dhe planet afatgjata për forcimin e mbrojtjes së NATO-s dhe nevojën për të rritur shpenzimet ushtarake.