Doğa Kırmızıoğlu
05 Korrik 2021•Përditësim: 05 Korrik 2021
Ethet e gjysmëfinales në Kampionatin e 16-të Evropian të Futbollit (EURO 2020) do të fillojnë nesër me ndeshjen e parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshjet e gjysmëfinales dhe finales në EURO 2020 do të luhen në stadiumin Wembley në kryeqytetin e Anglisë, Londër. Mbi 60 mijë tifozë do të mund të shikojnë ndeshjet në stadium.
Në ndeshjen e parë të gjysmëfinales do të përballen dy ekipet me përvojë të turneut, Italia dhe Spanja. Ndeshja do të fillojë në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga arbitri gjerman Felix Brych.
Kampionatin e vetëm Italia e ka fituar në vitin 1968, ndërsa në vitet 2000 dhe 2012, edhe pse kishte arritur deri në finale, nuk kishte fituar kupën.
Spanja është në mesin e ekipeve më me sukses në kampionat, duke e fituar atë në vitet 1964, 2008 dhe 2012.
- Anglia synon kupën e parë, ndërsa Danimarka të dytën
Ndeshja e dytë e gjysmëfinales do të luhet më 7 korrik, të mërkurën, në orën 21:00 mes Anglisë dhe Danimarkës.
Anglia, e cila do ta ketë avantazhin e tifozëve, suksesin më të madhe e arriti në vitin 1968, kur e fitoi vendin e tretë, si dhe në vitin 1996, kur arriti në gjysmëfinale. Në rast se anglezët e mposhtin Danimarkën, për herë të parë në histori do të arrijnë në finale.
Ndërkaq, Danimarka, e cila në finalen e vitit 1992 e fitoi Gjermaninë me rezultatin 2-0 dhe arriti ta ngre kupën, synon që ta përsërisë suksesin edhe një herë.
Palët që do të kalojnë fazën e gjysmëfinales do të përballen më 11 korrik, të dielën.