Bota

Netanyahu do të adresohet në Kongresin Amerikan, pritet të tërheq mijëra protestues

Dhjetëra ligjvënës demokratë do të anashkalojnë fjalimin e Netanyahut në shenjë proteste ndaj luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 39 mijë palestinezë

Diyar Güldoğan  | 24.07.2024 - Përdıtësım : 25.07.2024
Netanyahu do të adresohet në Kongresin Amerikan, pritet të tërheq mijëra protestues

Washington DC

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të mbajë një fjalim në një seancë të përbashkët të Kongresit të SHBA-së, një ngjarje që pritet të tërheq mijëra protestues, transmeton Anadolu.

Ky do të jetë fjalimi i katërt i Netanyahut në Kongres pasi u ftua nga katër udhëheqës të Kongresit. Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, lideri i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe lideri i pakicës në Senat, Mitch McConnell.

Netanyahu mbërriti të hënën në SHBA, një ditë pasi presidenti Joe Biden i dha fund fushatës së tij për rizgjedhje presidenciale dhe miratoi zv/presidenten Kamala Harris për ta zëvendësuar atë si kandidate presidenciale nga radhët e demokratëve.

Dhjetëra ligjvënës demokratë do të anashkalojnë fjalimin e Netanyahut në shenjë proteste ndaj luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 39 mijë palestinezë.

Senatori Bernie Sanders tashmë ka konfirmuar se do të bojkotojë fjalimin dhe e quajti Netanyahun "kriminel lufte".

Rashida Tlaib, e vetmja anëtare palestineze në Kongresin Amerikan, akuzoi Netanyahun për kryerjen e një "gjenocidi" kundër palestinezëve. Ajo tha se ai "duhet të arrestohet dhe të dërgohet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJND)".

Vizita e Netanyahut vjen dy muaj pasi kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan njoftoi se ai po kërkon urdhër arresti për kryeministrin.


- Protestat kundër Netanyahut vazhdojnë në Washington D.C.

Paraqitja e kryeministrit izraelit do të tërheq protesta në Washington D.C., ku janë vendosur disa mbyllje rrugësh dhe kufizime parkimi. Siguria është forcuar edhe rreth hotelit ku po qëndron Netanyahu dhe policia ngriti dy radhë gardhe rreth objektit.

Senatori Ben Cardin, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, do të kryesojë fjalimin e Netanyahut në Kongresin Amerikan. Para nisjes së tij për në SHBA, Netanyahu tha se do të kërkojë të ankorojë mbështetjen dypartiake, e cila është "shumë e rëndësishme" për Izraelin.

Gjatë ditës së nesërme, Netanyahu do të takohet me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, ku do të diskutojnë mënyrat për të arritur marrëveshje për armëpushim në Gaza dhe kthimin e pengjeve izraelite.

Kryeministri izraelit pritet të zhvillojë edhe një takim me kandidatin republikan për president dhe ish-presidentin Donald Trump në rezidencën e tij në Florida.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.