Mustafa Deveci
25 Shtator 2018•Përditësim: 25 Shtator 2018
KUDS (AA) – Kryeministri i Izraelit, Binyamin Netanyahu, ka dhënë sinjalin se do të vazhdojnë sulmet e shtetit të tij në territoret e Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Netanyahu kryesoi takimin e Kabinetit të Sigurisë izraelite i cili u mblodh për të diskutuar për krizën me Rusinë, e cila filloi javën e kaluar me rrëzimin e avionit ushtarak rus në Siri dhe u rrit pas vendimit të Moskës për dhënien e sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 për regjimin e Asadit.
Në një deklaratë me shkrim pas mbledhjes, thuhet se ministrat izraelitë janë shprehur se ndajnë pikëllimin me familjet e 15 ushtarëve rusë të cilët humbën jetën në avionin i cili u godit si pasojë e “veprimit të papërgjegjshëm” të regjimit të Asadit.
Në deklaratë thuhet se kabineti ka udhëzuar ushtrinë e Izraelit që të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshme kundër “iniciativave për vendosjen e Iranit në Siri”, si dhe për vazhdimin e koordinimit me Rusinë.
Pas mbledhjes, nga aeroporti në Tel Aviv para nisjes për të marrë pjesë në sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York, Netanyahu tha se “Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për sigurinë e Izraelit”, duke dhënë kështu sinjalin se do të vazhdojnë sulmet në territoret e Sirisë.
Avioni ushtarak rus Il-20, i cili më 17 shtator u zhduk nga radarët në Siri, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit sirian S-200. Rusia pretendoi se avioni i është goditur nga raketat për shkak se avionët luftarakë izraelitë F-16 kanë përdorur avionin Il-20 si mburojë.
Kurse qeveria e Izraelit kishte refuzuar akuzat e Rusisë, duke u shprehur se avioni është goditur nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit të Asadit.
Nga ana tjetër ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu kishte thënë se Forcave të Armatosura të Sirisë do t’u jepet sistemi modern raketor i mbrojtjes ajrore S-300.