Bota

Netanyahu thotë se opinioni i GJND-së për tokat e pushtuara palestineze është absurd

“Populli hebre nuk është pushtues në tokën e vet", vlerëson kryeministri izraelit

Mohammad Sıo  | 19.07.2024 - Përdıtësım : 19.07.2024
Netanyahu thotë se opinioni i GJND-së për tokat e pushtuara palestineze është absurd

Kuds

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi opinionin këshillues të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në lidhje me pushtimin e territoreve palestineze, duke e përshkruar atë si "absurd", transmeton Anadolu.

“Populli hebre nuk është pushtues në tokën e vet, duke përfshirë në kryeqytetin tonë të përjetshëm Jerusalemin (Kudsin) dhe as në Judea dhe Samaria (Bregun Perëndimor), atdheun tonë historik”, tha Netanyahu në X, duke shtuar:

“Asnjë opinion absurd në Hagë nuk mund ta mohojë këtë të vërtetë historike apo të drejtën ligjore të izraelitëve për të jetuar në komunitetet e tyre në shtëpinë tonë stërgjyshore”.

GJND në opinionin e saj tha se pushtimi prej dekadash i tokës palestineze nga Izraeli është "i paligjshëm" dhe duhet t'i jepet fund "sa më shpejt të jetë e mundur".

Gjykata tha se Izraeli është i detyruar të ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet e reja të vendbanimeve dhe të evakuojë të gjithë kolonët nga territori i pushtuar palestinez.

Në fund të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme kishte miratuar një rezolutë duke kërkuar nga GJND-ja të jepte një opinion këshillues mbi pasojat ligjore që lindin nga pushtimi izraelit i territoreve palestineze që nga viti 1967, se si politikat dhe praktikat e Izraelit ndikojnë në statusin ligjor të okupimit dhe cilat janë pasojat juridike që lindin për të gjitha shtetet dhe OKB-në nga ky status.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor që nga viti 1967, dhe ka ndërtuar dhe zgjeruar vendbanimet ilegale.

Ministria e Jashtme hedh poshtë opinionin

Ndërkohë, Ministria e Jashtme izraelite hodhi poshtë opinionin e gjykatës, duke e quajtur atë "thelbësisht të gabuar".

Në një deklaratë, ministria tha se opinioni jo detyrues “përzien politikën dhe ligjin. Ai injekton politikën e korridoreve të OKB-së në New York në sallat e gjyqit të GJND-së në Hagë”.

"Opinioni vetëm distancon mundësinë e zgjidhjes së konfliktit", thuhet në deklaratë.

Ministria akuzoi Autoritetin Palestinez, i cili inicioi masën, se “nuk është i interesuar për paqe, por për përbaltëur Izraelin”.

Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, tha se gjetjet e GJND-së “dëshmojnë për të mijtën herë se kjo është një organizatë e qartë politike dhe antisemite”.

“Ne nuk do të marrim mësime morale prej tyre. Ka ardhur koha për qeverisje dhe sovranitet”, tha ai.

Ministri i Financave Bezalel Smotrich tha se përgjigja ndaj vendimit të GJND-së është të “imponohet sovraniteti (mbi Bregun Perëndimor) tani”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.