Ekip
09 Shtator 2020•Përditësim: 09 Shtator 2020
Rreth 83 migrantë të parregullt të braktisur në Nigerin verior u shpëtuan nga një ekip i lidhur me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, IOM tha se ekipi shpëtoi 42 meshkuj dhe 41 femra të nisura për në Libi më 3 shtator në rajonin e shkretëtirës Agadez, ku shumica e migrantëve janë nigerian, megjithëse disa nga burrat ishin nga Togo, Mali dhe Gana. Vajzat binjake katër vjeçare po ashtu janë në mesin e të shpëtuarve.
Pasi u larguan nga qyteti verilindor Dirkou, trafikantët që transportonin migrantët "panë automjete ushtarake në rrugë dhe kishin frikë se autoritetet i kanë kapur ata dhe ngarkesat e tyre me migrantë", thuhet në deklaratë.
"Në vend që të rrezikonin arrestimin, shpjeguan migrantët, katër shoferët e tyre braktisën pasagjerët e tyre, pasi fillimisht morën të gjitha sendet e tyre", theksohet më tej.
Operacioni i shpëtimit i kryer nga ekipi i Kërkimit dhe Shpëtimit i IOM (SAR) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Mbrojtjen Civile në Niger dhe mbështetjen nga BE, u zhvillua në shkretëtirën e Saharasë, "ku temperaturat shpesh tejkalojnë 38 gradë celsiusë”.
"Ne ishim të bllokuar për tre ditë pa ushqim ose ujë. Ne kërkuam ujë, por gjithçka që gjetëm ishin puse të pista të përdorura nga bagëtia. Pra, nuk ishim në gjendje të pinim aspak", citoi IOM një nga migrantët e shpëtuar.
Shumë nga migrantët u gjetën "të dehidruar, të plagosur dhe kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore", thuhet në deklaratë.