Adam Abu-bashal
27 Shkurt 2020•Përditësim: 28 Shkurt 2020
Numri i të vdekurve si pasojë e epidemisë së etheve Lassa në Nigeri është rritur në 118 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qendra për kontroll të sëmundjeve në Nigeri (NCDC) njoftoi se ethet Lassa përveç në kryeqytetin Abuja janë përhapur edhe në 26 provinca të vendit.
Në deklaratë thuhet se për shkak të epidemisë që nga muaji janar e deri më tani janë identifikuar 689 raste dhe kanë humbur jetën 118 persona.
Në vitin 2019 nga ethet Lassa humbën jetën 129 persona.
Qeveria e Nigerisë në fund të janarit shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së shpejtë të epidemisë vdekjeprurëse të etheve Lassa.
Ethet Lassa janë ethe hemorragjike virale për të cilën nuk ka vaksinë. Ajo manifestohet nga dëmtimi i enëve të gjakut dhe organeve të shumta ndërsa simptomat janë gjakderdhje dhe dhimbje të forta në trup.
Nuk është një lloj i ri i sëmundjes, por epidemia e tanishme është shumë më e fortë se ato të mëparshme. Shpërthimi i parë i etheve lassa në Nigeri është regjistruar në vitin 1969 dhe është raportuar në vendet e tjera afrikane përfshirë vendet si Mali, Togo, Gana, Liberia dhe Sierra Leone.